Përpara Kryeministrisë, janë mbledhur studentët që vijojnë protestën e tyre prej 10 ditësh. Pavarësisht mëngjesit em shi, një numër i madh studentësh është mbledhur dhe shumë të tjerë pritet të mbërrijnë.
“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.”, është thirrja e tyre.
Një nga studentët me megafon, tha: “Ne jemi drita e Shqipërisë, e ardhmja e Shqipërisë, Promoteu i Shqipërisë. Me zërin që kemi ngritur ne, i kemi dhënë kësaj Shqipëriae shpresë.”
Një pjesë e studentëve e kaluan mbrëmjen përpara godinës së Kryeministrisë, ku patën një përpjasje edhe me policinë të cilët nuk i lejuan të merrnin dru për të ndezur zjarr për t’u ngrohur.
Në një prononcim për televizionin “Ora News”, një studente tha këtë mëngjes ndërsa pritej mbërritja e studentëve të tjerë, që për sa kohë shiu i mbrëmshëm nuk i ndaloi, as sot nuk do ndalen deri në plotësimin e tetë kërkesave të tyre.
“Në momentin kur ikën mediat, banorët që vinin me çanta këtu për të na sjellë ushqim u kontrollonin çantat, nëse kishin dru me vete apo jo. Shkuam për të marrë dru dhe na ndaluan. Zjarr nuk kishte. E kaluam me shi, të ftohtë, pa zjarr.Derisa shiu nuk na ndaloi mbrëmë që na gjeti të papërgatitur, sot që do marrim masa nuk do na ndalojë deri në plotësimin e 8 kërkesave”, tha studentja.
“Studentët janë të revoltuar, Kujdes nga kauza jonë, sepse ne nuk do na mbajë asgjë. Kujdes se çfarë do ndodhë pastaj. Kujdes, se nuk i dihet!”, tha një student në protestë, duke paralajmëruar më pas kryeministrin se nuk do të ketë negociata, duke i thënë që s’ka nevojë për “sufllaqet e tij”.
“S’na ndal shiu, s’na ndal bora” thonë sot studentët.