Në protestën e sotme përpara Kryeministrisë, Destan Dangëllia, studenti 74-vjeçar nga Devolli, i cili me shumë gjasa është edhe studenti më i vjetër në vend, i drejtoi disa fjalë kryeministrit Edi Rama.
Para mediave, Dangëllia tha se e ka ndjekur me shumë vëmendje Ramën në emisionin “Opinion” dhe kishte dy fjalë për të. Studenti i moshuar i bëri të qartë kryeministrit se ai dhe studentët e tjerë nuk gënjehen nga “këmba e ujkut”.
“Doja t’i thoja zotit kryeministër. Të kam ndjekur mbrëmë në opinion kur flisje me pedagogët e rektorët.
Ne nuk gënjehemi nga këmba e ujkut, as nga e majta as nga e djathta e lyer me miell. E kuptojmë miellin e bardhë. Vetëm po të lutem plotësoji ato kërkesë. Nxirre noterin aty dhe plotësoi këto kërkesa.
Ju lutem, më beso se flas unë studenti që kam jetuar tre regjime, atë të Enverit, të regjimit demokratik dhe atë të Rilindjes.”, tha studenti 74-vjeçar.
Studentët e vendosur sot para Kryeministrisë, nisën të këndonin vazgje kundra ministres Lindita Nikolla përsëri, dhe kundra politikanëve në përgjithësi.
“Studentët jemi në shi, jemi në shi
Xhepat tona na janë shkund, na janë shkund
O ministrja shefit t’vet shefit t’vet
Mesataja 5.8, 5.8, 5.8
Ju jeni milionera me vila e makina
S’paguaj më për ju, as unë dhe as familja.”, janë vargjet e studentëve që i këndojnë në kor.
Ndërkohë një student tjetër tha se studentë e të rinj nga Shkodra e Mirdita, ishin nisur në këmbë drejt Tiranës dhe kanë bllokuar rrugën e Milotit. Ende nuk është konfirmuar ky lajm.