Vendosni fjalën kyçe....

Sejko thirrje bankave: Rrisni kreditimin për ekonominë


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, iu kërkoi bankave të nivelit të dytë të dalin nga situata stanjante dhe të rrisin kreditimin për ekonominë.

Guvernatori Sejko e bëri dje deklaratën në takimin përmbyllës së Shoqatës së Bankave, ku deklaroi se sektori mbetet i qëndrueshëm.

“Viti që po mbyllet, konfirmoi qëndrueshmërinë e sektorit bankar shqiptar. Ai mund të vlerësohet i veçantë për vetë faktin që sistemi përjetoi ndryshime strukturore të rëndësishme, të cilat priten të finalizohen në vitin që po hyjmë. Veprimtaria e sektorit vijoi të zgjerohej, duke mbetur e mirëkapitalizuar, likuide dhe me fitim. Megjithatë, përtej kësaj, vlerësoj se niveli i përgjithshëm i kreditimit të ekonomisë është ende larg potencialit dhe mundësitë për të zgjeruar kredidhënien janë të shumta. Mirëkuptoj deri diku faktin që në këtë fenomen ndërthuren probleme si nga ana e kërkesës së dobët, ashtu edhe nga një ofertë e kushtëzuar nga standardet e shtrënguara të kreditimit. Megjithatë, përtej faktorëve strukturorë, vlerësoj se duhet të reagojmë për të shmangur gjendjen stanjante në kreditimin e ekonomisë”, u shpreh Sejko.

Sejko kërkoi që bankat të propozojnë masa konkrete për gjallërimin e ekonomisë. “Ritmi i rritjes ekonomike e ka të nevojshme gjetjen e mbështetjes në dinamikën e kreditimit bankar. Synim konstant mbetet nevoja për ta eksploruar tregun në vazhdimësi, për të identifikuar klientët potencialë, veçanërisht familjet dhe bizneset e vogla dhe më kryesorja për t’i ndihmuar ata në ndërtimin e një projekti të vlefshëm për financim. Kjo kërkon të konceptoni dhe ndërtoni strukturat, proceset dhe produktet e nevojshme, si edhe të planifikoni burimet e duhura financiare”, u shpreh Sejko.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *