Konsumi për frymë i shqiptarëve në raport me evropianët bëjnë që të vijojmë qëndresën në vendin e fundit.
Kështu, konsumi mesatar për frymë i shqiptarëve është sa 39% e një europiani mesatar.
Vitin paraardhës kjo normë fiksohej në 37%. Ndjekësit më të afërt të Shqipërisë në këtë renditje janë dy vendet e rajonit: Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina.
Diferenca me vendet më të zhvilluara të Europës është kështu e ndjeshme. Të dhënat tregojnë qartë se, në krahasim me vende si Norvegjia, Zvicra apo Luxemburgu, një shqiptar mesatar konsumon 3 herë më pak.
Konsumi është një ndër indikatorët kyç të mirëqenies së një individi si dhe një ndër më të besueshmit për të përcaktuar diferencat mes ekonomive të ndryshme, raporton Scan.
Indikatori tjetër ndërkohë, ai i Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, nuk ka pësuar asnjë ndryshim, pasi në Shqipëri vazhdon të jetë sa 30% e një europiani mesatar.
Edhe në këtë drejtim, Shqipëria mban vendin e fundit në Europë dhe rajon. Ndjekësja më e afërt edhe këtu është Bosnje Hercegovina me një normë në 32% të mesatares europiane.