Në Rrugën e Durrësit, studentët vijuan protestën pa u tërhequr me kusht realizimin e të gjithë kërkesave të tyre. Qeveria bëri një hap prapa, duke u tërhequr nga tarifat për provimet e mbartura. Shpenzimet për arsim u peshojnë familjeve shqiptare katër herë më shumë se familjeve europiane. Në shumë vende të Europës, tarifat e studimit janë bërë zero, kurse Shqipëria po shkon në kahun e kundërt në një kohë kur shumë të rinj po zgjedhin që të ikin jashtë. Si po shpenzohen fondet e mbledhura nga tarifat për pajisje luksi dhe makina të shtrenjta, ndërkohë që kanë shkuar zero lekë për shkencën dhe për studentët…
Nga Ledina Loga
Kur në të gjitha mediat kombëtare në vend u njoftua se qeveria pranoi një nga kërkesat e studentëve, atë të tarifës mbi provimet e mbartura, dy të rinj, teksa ecnin pranë stacionit të autobusit në zonën e stadiumit “Dinamo”, komentonin vendimin e qeverisë. Erinda është studente në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ajo tha për “Monitor” se u shokua kur mori vesh që për një provim të mbartur, të cilin e kishte që prej vitit të parë duhet të paguante 700 lekë për kredit. Lënda që duhet të rijepte provim kishte 10 kredite dhe në total duhet të paguante 7000 lekë, vetëm për t’u futur në provim. Ajo tha se i është bashkuar protestës së studentëve, të cilët kërkojnë që t’ju plotësohen disa nga pikat që kërkojnë.
Erinda ka ardhur të studiojë në Tiranë nga një qytet i jugut dhe thotë se prindërit e saj i përballojnë me vështirësi shpenzimet për t’u arsimuar në Tiranë. Përveç tarifës vjetore, studentët kanë edhe shpenzime për librat, strehimin, për të përballuar jetesën në Tiranë, që është shumë më e shtrenjtë se nga qyteti që vijnë. Një pjesë e mirë e tyre, në pamundësi që familja t’u mbulojë të gjitha shpenzimet për arsimin janë të detyruar të punojnë. Në të gjithë botën, studentët punojnë part-time, por në të njëjtën kohë, atyre si studentë iu ofrohen lehtësi të shumta.
Laureta studion prej dy vitesh në një universitet shtetëror në Gjermani. Ajo tregon se tarifa për t’u shkolluar është zero, pagesa për konviktin ku ajo qëndron është rreth 350 euro në muaj, të cilën ajo e konsideron të lirë për standardin e qytetit bavarez dhe ka shumë lehtësi të cilat i përfiton me anë të kartës së studentit. Në Shqipëri, ky projekt ka mbetur një premtim klishe.
Shqipëria nuk krahasohet as me rajonin për sa u përket tarifave të studimit. Tarifa e studimit për një semestër në universitetin publik në Kosovë është 25 euro, ndërsa tarifa për konviktin është 30 euro në muaj, ku përfshihen edhe dy vakte në ditë. Nuk kanë tarifa për provimet e prapambetura.
Në Maqedoni, tarifat e studimit për një semestër janë rreth 100 euro. Dr. Zylyftar Bregu, pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës mendon se gjendja aktuale në universitete, në tërësi, dhe sidomos aspekti financiar i studimeve të larta, është pasojë e koncepteve që diktoi ligji për Arsimin e Lartë, i miratuar rreth tre vjet më parë.
“Ky ligj, i cili ende nuk është zbatuar dhe ka paraqitur vështirësi të shumta në zbatim, ka sanksionuar norma dhe logjikë tregu, duke e nxjerrë Universitetin nga filozofia e publikes”, shprehet dr. Zylyftar Bregu për “Monitor”. Në vijim, profesori nuk i mbështet tarifat shtesë për ato që quhen provime të mbartura. Sipas tij, janë të paarsyeshme dhe për këtë shkak, edhe qeveria bëri një hap mbrapa.
Megjithatë dr. Zylyftar Bregu shtoi se edhe tarifat e studimit janë të papërballueshme për një familje mesatare shqiptare.
“Mendoj që ka ende vend për të aplikuar politika sociale që lidhen edhe me specifikën e zonave të ndryshme të vendit, nga ana e qeverisë”, përfundoi prof. Bregu.
Çfarë kërkojnë studentët
Edhe pse qeveria bëri një hap pas, duke tërhequr një nga vendimet, studentët kanë vijuar protestën edhe të premten e javës së shkuar dhe gjatë gjithë kësaj jave, ndonës këtë javë protesat e tyre kishte disa epiqendra. Të martën pas orës 16:00 ku përfundoi dhe për përmbushjen e kërkesave, studentë u ndanë në tre grupe. Një pjesë, e cila vijon deri në ditën e sotme, proteson përballë kryeministrisë. Për protestën, ata thonë se do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre megjithëse ka qenë disi më e vakët.
Studentët kanë kërkuar përgjysmim të tarifave të shkollimit dhe kushte më të mira. Ata kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga katër kërkesat e tyre.
Javën e kaluar Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, njoftoi se qeveria do të shfuqizojë VKM nr. 288, pika numër 4, e cila citon si më poshtë:
“Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik, si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”.
Kërkesat që studentët kërkojnë që të plotësohen:
- Rritja e buxhetit të arsimit në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto me qëllim përgjysmimin e tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës.
- Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
- Rritja nga 10% në 50% e peshës së votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe ccdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
- Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
- Mështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë, pika kërkojnë që bordi i administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash MASR dhe IAL, si dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)
- Ndërtimi i biblotekave me standarte europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
- Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.
Monitorimi, si abuzohet me fondet
Studentët shqiptarë, në krahasim me studentët europianë, të cilët kanë tarifa zero për sa i përket arsimit, nuk marrin asgjë mbrapsht nga investimi i tyre në dije. Qëndresa Qytetare, një organizatë e fokusuar te fuqizimi i rolit të qytetarit në shoqëri, nisur nga mungesa e shërbimeve ndaj studentëve në universitetet publike, ankesat e shumta të tyre dhe tarifat e larta nga ana tjetër, kryen një monitorim mbi Autonominë dhe Menaxhimin Financiar të Universiteteve Publike në Shqipëri.
Monitorimi është kryer gjatë periudhës 1 shtator 2017 dhe 13 qershor 2018. Valmira Kosova, koordinatore e Qëndresës Qytetare, shpjegon se universitetet publike i kanë përdorur paratë e tarifave të studentëve për sigurim godinash dhe pajisje luksi, ndërkohë që për kërkim shkencor janë shpenzuar 0 lekë dhe për shërbime ndaj studentëve shumë pak.
Sipas saj, paratë e universiteteve, pavarësisht autonomisë që kanë fituar universitetet nga reforma në arsimin e lartë menaxhohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pasi shumicën në Bordet e Administrimit e kanë ministria, borde në të cilat vendimet merren me 50% +1.
Qëndresa Qytetare beson se tarifat e studentëve duhet të përcaktohen bazuar në analizën e një kostoje të shërbimit të caktuar, siç ishte rasti i pikës 4 të VKM-së mbi riprovimet, ku ky shërbim pavarësisht se e ka koston zero, pasi pedagogu paguhet nga paga për të hartuar teza, universitetet shtuan kosto deri në 50 euro për riprovim.
Protesta e studentëve duhet të vazhdojë për të kërkuar përmirësim të cilësisë së shërbimeve, brenda universitetit, pasi krahasuar me vendet europiane dhe rajonin në Shqipëri, ata marrin shumë më pak shërbime, shumë më pak bursa dhe ligji nuk u jep të drejtën e kredisë studentore dhe kartës së studentit, shton Kosova për “Monitor”.
Qëndresa Qytetare ka bërë një krahasim midis kostove të arsimit në Gjermani dhe kostove të një familje shqiptare. Pavarësisht se paga mesatare mujore në Gjermani është 2200 euro dhe në Shqipëri 280 euro, Gjermania ka 0 tarifa për arsimin, ndërsa në Shqipëri tarifat variojnë nga 200 deri në 2000 euro. Sipas Qëndresës Qytetare, bursat e studimit në Gjermani përllogariten rreth 700 euro në muaj, në Shqipëri janë rreth 10 herë më të ulëta, 70 euro në muaj.
Nuk ekziston karta e studentit, shpërndahen 2000 abone studenti për 100 mijë studentë për të përfituar nga transporti publik me kosto të reduktuar, ndërsa në Gjermani transporti publik për studentët është falas. Sipas gjetjeve nga monitorimi i transaksioneve rezulton se tre universitetet publike janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për nënkategorinë studime dhe kërkime në një vit akademik.
Nga ana tjetër, Qëndresa Qytetare shton se paratë e tarifave të studentëve dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit janë shpenzuar përkatësisht për investime luksi dhe zyrash. Mbi 1 miliard lekë të vjetra ka shpenzuar Universiteti i Durrësit për rikonstruksione ndërtesash dhe pajisje zyrash, ndërsa Universiteti i Elbasanit ka blerë një automjet pranë kompanisë Hyundai, në vlerën 7.6 milionë lekë.
E ndërsa tarifat e studentëve shkojmë për shpenzime luksi, në universitetet shqiptare nuk ka akses në internet; nuk janë të pajisur me laboratorë shkencorë, mungojnë bibliotekat online; nuk ka sisteme informative; këshillimi i karrierës nuk është eficient; mungojnë kreditë studentore; mungon edhe karta e studentit.
Por, sa kushton edukimi në Shqipëri?
Tarifat vjetore në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 20 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 45 mijë lekë maksimalja për ciklin e parë të studimeve. Në Universitetin e Tiranës, tarifat për ciklin e parë të studimeve variojnë nga 25 mijë lekë në 40 mijë lekë, ndërsa për ciklin e dytë të studimeve master, tarifat e studimit variojnë nga 60 mijë lekë deri në 210 mijë lekë për një vit.
Tarifat më të larta për një vit studimi në ciklin e parë i ka Universiteti i Mjekësisë, ku për një vit, studentët paguajnë 45 mijë lekë, ndërsa për ciklin e dytë të studimeve, rreth 240 mijë lekë. Në universitetet private, viti shkollor kushton duke filluar nga 1500 euro në 3500 euro.
Studentët kanë kërkuar përgjysmimin e tyre.
Studentët shqiptarë, me shpenzimet më të larta për arsim në të gjithë Europën, gati 4 herë më shumë
Edhe pse Shqipëria nuk ka shkollat dhe universitetet më të mira të Europës, në raport me moshatarët e tyre europianë, arsimi u kushton më shtrenjtë studentëve shqiptarë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.
Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, gati katër herë më e lartë se e familjeve europiane. Mesatarja e Bashkimit Europian është 1.1%, ndërsa një familje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero.
Të varfërve iu rëndon më shumë
Për Kukësin, qarkun më të varfër të vendit, duket se shpenzimet për arsim rëndojnë më shumë se në qarqet e tjera të vendit. Për familjet kuksiane, shpenzimet për arsim kanë një peshë të konsiderueshme në totalin e shpenzimeve që ato bëjnë, me rreth 9.1% të totalit, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqim, sipas INSTAT.
Pas Kukësit, qarku që shpenzon më shumë për arsim është Fieri, me 6.8% ndaj totalit. Më pas renditet kryeqyteti, Tirana, me 5.2% të totalit të shpenzimeve për arsim dhe Lezha me të njëjtën peshë të shpenzimeve. Me një diferencë të ngushtë nga mesatarja kombëtare renditet Korça me rreth 3.1% të totalit të shpenzimeve për arsim. Durrsakët dhe gjirokastritët shpenzuan për arsim përkatësisht 2.4 dhe 2.3% të totalit të shpenzimeve të tyre.
Të rinjtë rritën shpenzimet për arsim, u kushtoi dyfish më shumë në 2017-n
Arsimi merr për familjet e reja çerekun e shpenzimeve, madje më shumë se për t’u ushqyer dhe për t’u strehuar. Gjatë vitit 2017, sipas statistikave mbi shpenzimet e familjeve të publikuara nga INSTAT, familjet me kryefamiljarë deri në 24 vjeç përdorën për arsim 25.1% të shpenzimeve.
Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet për arsim janë rritur me 2.3 herë për familjet në moshë të re. Në 2016-n, sipas të dhënave të INSTAT në Anketën e Shpenzimeve të Familjeve, arsimi zinte 10.5% të totalit të shpenzimeve.
Ndërkohë që kanë rritur shpenzimet për arsim, familjet e reja kanë ulur ato për ushqim dhe strehim, të cilat në strukturën e shpenzimeve të tyre zinin peshën kryesore. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në 2016-n pesha e shpenzimeve për ushqim ishte 31.3%, ndërsa në 2017-n, ajo do të ulej në 22.5% Familjet e reja kanë ulur shpenzimet edhe për strehim. Shpenzimet për banesë zinin në 2017-n rreth 21.5% të totalit të shpenzimeve, nga 24.8% që ishin gjatë 2016-s.
Në total, këto tre grupe, arsimi, strehimi dhe ushqimi, kanë një peshë totale në strukturën e shpenzimit të tyre prej 69%. Ndërsa kanë ulur shpenzimet për veshje dhe këpucë, familjet e reja shqiptare kanë rritur shpenzimet për restorante dhe hotele. Rreth 9.5% e totalit të shpenzimeve në 2017-n shkuan për restorante dhe hotele, nga 6.4% që ishin një vit më parë. Kurse për sa u përket veshjeve dhe këpucëve, në 2017-n pesha e shpenzimeve për to ra me gati 1 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë, në 4.8% të totalit të shpenzimeve.
Shpenzimet për argëtim kanë pasur gjatë 2017-s një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë. Familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç shpenzuan për t’u argëtuar rreth 3.5% të të ardhurave. Gjatë 2017-s, ato ulën edhe shpenzimet për komunikimin, ku sipas INSTAT shpenzimet për komunikim kishin një peshë prej 2.7% nga 3.1% një vit më parë./ Monitor