Vendosni fjalën kyçe....

Qytetarët i bashkohen studentëve para Kryeministrisë: Qeveria po i hedh dru zjarrit!


Këtë të djelë, pasi kaluan edhe një natë tjetër në të ftohtë dhe në shi, studentët janë mbledhur sërish sot përpara godinës së Kryeministrisë.

Në ditën e 12-të të kësaj proteste, studentët janë më të paktë në numër por kjo është më shumë si një protestë simbolike për të mos e lënë ditën e sotme pa protestë fare. Kjo pasi protesta pritet të përshkallëzohet pikërisht të hënën.

Studentët këmbëngulin në realizimin e 8 kërkesave pa dialog me kryeministrin.

Përveç të rinjve, para Kryeministrisë janë mbledhur edhe qytetarë të Tiranës por edhe qyteteve të tjera. Një burrë nga Vlora tha se qeveria po i hedh “dru zjarrit”.

“Vij nga Vlora, kam pesë ditë këtu. Studentë ka pasur boll, por ne kemi të keqen tjetër se qeveria nuk ulet. Qeveria nuk dëgjon, nuk ulet. Nuk i hedh ujë por dru zjarrit. Kush është e ardhmja? Studentët. Por këta kanë zhvilluar krimin, kanë humbur moralin. I kanë bërë të gjitha”, tha zotëria nga Vlora.

Në protestën e sotme që po zhvillohet përpara godinës së Kryeministrisë, studentët janë shprehur të revoltuar ndaj mediave, që i largojnë gazetarët dhe kameramanët që në orën 18:00-19:00, ndërkohë që protesta vazhdon gjatë gjithë natës.

Studenti me megafon në dorë, ka paralajmëruar mediat televizive se nëse vazhdojnë t’i censurojnë edhe ata do t’i bojkotojnë ato sikurse mësimin nëpër fakultete, duke nënkuptuar kështu se nuk do t’i ndjekin më.

“Iu lutem edhe një herë mediave, sepse kemi parë që u bënë dy ditë që largohen që në orën 18:00 apo 19:00. Nuk e dimmë se ç’është ky censurim që po na bëhet?! Ju lutem mediave të mos na censurojnë. Se nëse na censuroni, ddo fillojmë t’ju bojkotojmë si fakultetet. Prandaj ju lutem, ne jemi këtu për një kauzë madhore. Mos u shisni dhe mos u blini edhe ju. Bëjini oponencë kësaj kaste të korruptuar. Ne nuk jemi vetëm për studentët, ne jemi për Shqipërinë tuaj.”, tha studenti.

Më pas turma nisi të këndojë këngën “Për mëmëdhenë”.

Ndërkohë që poshtë zyrës së tij protestohet, Rama ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku tregohen studentë amerikanë që kërkojnë dialog me qeverinë.

“Foto nga një protestë e famshme e studentëve në SHBA, ku pasi protestuan me këmbëngulje duke kërkuar Dialog&Transparencë, studentët arritën t’i ulin në tryezë autoritetet dhe morën një marrëveshje të favorshme”, shkruan Rama krahas fotos.

Më pas në “Instagramstory”, Rama publikon një thënie mjaft drastike e cila kërkon ose vdekjen ose dialogun.

“Na duhet të përballemi me faktin që ose do të vdesim të gjithë sëbashku, ose do të mësojmë të jetojmë sëbashku dhe nëse kemi ndërmend të jetojmë sëbashku, ne duhet të dialogojmë.”, tha Rama, një thënie kjo e Eleanor Roosevelt.

Kërkesave të shpeshta të Ramës për dialog studentët u janë përgjigjur negativisht, duke mos pranuar asnjë negociatë por kërkojnë vepëm plotësim të tetë kërkesave.

“Kjo është bërë më shumë një lojë nervash. nëse ai do të tregojë nervat ne do të qëndrojmë këtu, do vazhdojmë bojkotin e mësimit dhe protestën”, tha një studente.

Ndërkohë, askush nuk e ka kaluar ditëlindjen si Klajdi, student që prej 12 ditësh proteston për uljen e tarifave.

Kur akrepat e orës kanë shënuar 00:00, shokët në protestë i kanë kënduar Klajdit këndën e ditëlindjes, ndërsa i kanë bërë atij edhe një dhuratë.

Në kushtet e protestës, Klajdi nuk mundi të kishte një tortë për ditëlindje por një karamele, e ai tha se ajo ishte karamelja më e bukur.

“Më lejoni tu them që kjo është një nga ditëlindjet më të bukura. Ta festosh këtu për të sjellë ndryshimin e të gjithë shqiptarëve, besoj kjo është një nga gjërat më të bukura që ne mund të bëjmë. Kjo është karamelja më e bukur sepse ka brenda gjithë zemrën.”, tha Klajdi i cili falenderon shokët për urimet./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *