Vendosni fjalën kyçe....

Studentët protestë masive, bashkë me qytetarët dynden poshtë zyrës së Ramës


Në ditën e 13-të të protestës, studentët kanë paralajmëruar se sot protesta do të bëhet masive.

Që prej të shtunës, Këshillat Studentorë kanë dalë me një deklaratë dhe kërkuan që të hënën studentët të kenë mbështetje nga të gjithë për të pasur sa më shumë masivitet.

Pavarësisht se studentët që prej ditës së parë që janë ngritur në protestë kanë bërë thirrje që politika të mos përfshihet, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje të rinjve të LRI t’i lënë kartat e anëtarësisë dhe t’u bashkohen studentëve.

“Protesta e studentëve është një mësim shumëi mirë për ne. Është një mësim shumë i mirë për të kuptuar se kur jemi të gjithë bashkë nuk na ndalon dot askush, se kur jemi bashkë i japim forcë dhe besim njëri tjetrit, bëjmë diçka në funksion të gjithë shoqërisë.”, tha Kryemadhi një ditë më parë në Korçë.

Rreth orës 08:30 do të nisë grumbullimi i studentëve nëpër fakultete e më pas do të nisin marshimin drejt Kryeministrisë ku do të mblidhen rreth orës 10:00 si zakonisht.

Në rrjetet sociale po u bëhet thirrje pjesëmarrësve të marrin tullumbace të mbushura me bojë të zezë.

Mendohet se tullumbacet studentët do i hedhin drejt Kryeministrisë për t’i njollosur muret me të zezë në mënyrë simbolike.

Në protestën e djeshme që gjithashtu u zhvillua përpara godinës së Kryeministrisë, studentët janë shprehur të revoltuar ndaj mediave, që i largojnë gazetarët dhe kameramanët që në orën 18:00-19:00, ndërkohë që protesta vazhdon gjatë gjithë natës.

Studenti me megafon në dorë, ka paralajmëruar mediat televizive se nëse vazhdojnë t’i censurojnë edhe ata do t’i bojkotojnë ato sikurse mësimin nëpër fakultete, duke nënkuptuar kështu se nuk do t’i ndjekin më.

“Iu lutem edhe një herë mediave, sepse kemi parë që u bënë dy ditë që largohen që në orën 18:00 apo 19:00. Nuk e dimmë se ç’është ky censurim që po na bëhet?! Ju lutem mediave të mos na censurojnë. Se nëse na censuroni, ddo fillojmë t’ju bojkotojmë si fakultetet. Prandaj ju lutem, ne jemi këtu për një kauzë madhore. Mos u shisni dhe mos u blini edhe ju. Bëjini oponencë kësaj kaste të korruptuar. Ne nuk jemi vetëm për studentët, ne jemi për Shqipërinë tuaj.”, tha studenti.

Ndërkohë që poshtë zyrës së tij protestohet prej më shumë se një jave, kryeministri Edi Rama vazhdon bën thirrje për dialog./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *