Vendosni fjalën kyçe....

Për turpin e titullit “Gazetar” dhe lëpirësit e pushtetit


Nga Zirina Llambro

Plot 5 vjet më parë, kur vendosa të largohem  nga media e shkruar, isha mjaftueshëm e rritur për të kuptuar se pasioni dhe dëshira me të cilën kisha hyrë atje, 19 vjeç ishin venitur.

Isha gjithashtu mjaftueshëm e rritur për të kuptuar se nuk kishte të bëntë aspak me mjedisin ku kisha kaluar vite me rradhë të  jetës sime, as me median në fjalë që ishte më e lexuara asokohe.

Ishte diçka që shkonte përtej. Ishte një largim pa asnjë peng e madje edhe këshilla më e shpeshtë që u jepja kolegëve dhe miqve të mi gazetarë, “Ikni se do shpëtoni, se nuk ua kthen njeri kohën e nuk do t’ua dijë njeri investimin”.

E kam fjalën për ata që sorrollateshin terrenit, rrugëve, pa orare,  që edhe ditën e pushimit e kalonin duke menduar çfarë lajmi do sillnin nesër. Ata që kthehshin në shtëpi në 1 të natës për t’ja nisur të nesërmen që me natë.  Ata vijojnë të jenë miqtë e mi. 

Një pjesë, gjithashtu me mundësinë e parë iu larguan gazetarisë, një pjesë ende aty, njësoj të paguar me rrogën e pandryshuar për  5-vjeçarë të tërë, ndërkohë që pallatet, bizneset, makinat jashtë serie të pronarëve, pas po kaq vitesh janë dyfishuar. 

U ngacmova  në fakt për të shkruar këto rradhë, jo nga një individ, jo nga një kolege që mban apo vetëmban titullin “gazetar” dhe tenton të trembë me makinë koncesionari disa studentë, qofshin ata me çantën më të shtrenjtë të mundshme, apo pa asnjë lek në xhep.

As se impresionohem më, nga përdorja që i bëhet medias, lluksi, sekserllëku, furçëria  gjithë komplekse për zotërinjtë  e politikës, (i kam parë nga afër edhe këto), ankesat për kredi nga ata që çuditërisht kanë para me thasë, maskat dhe hipokrizinë gjithë buzëqeshje, me vetëdijen e plotë për shtyllën kurrizore të munguar.

Aspak!

Dikush që ka punuar në media qoftë edhe 6 muaj, di shumë më shumë se kaq të vërteta! E nuk habitet më, nga përmasat e depersonalizimit kryeqytetas e më gjerë. As nga orgjitë, as nga miqësitë që na shiten në instagram.

U ngacmova ama dhe s’di pse, nga një shkrim që më dërguan në Facebook, ku theksohej disa herë fjalia “Ata nuk e dinin që isha gazetare”, ku tentohej të jepeshin argumenta kaq qesharakë, kaq infantilë, kaq të shëmtuar, kaq medemek  letrarë, sa u ndjeva e fyer mendërisht që në diplomën time shkruhet :“I jepet titulli “Gazetar”. 

Në këto 5 vite që nuk kam qenë pjesë e asnjë gazete apo TV, nuk kam dëgjuar qoftë edhe një gazetar që ka bërë ndonjë lajm apo kronikë të vërtetë, të ketë shpresën se ndonjë gjë mund të përmirësohet në median tonë. Të kundërtën po! 

Është shtuar numri i atyre që u është rritur disi rroga, qokaxhinjve të redaksive që prej vitesh s’kanë bërë asgjë, por kanë ditur të vjelin mirë pronarët, atyre që i kanë rritur ofertat vetes (bravo ju qoftë), duke lëvizur sa në një media në tjetrën, atyre  që investigojnë dhe bëjnë shantazhe për lajme investigative që nuk kanë parë kurrë dritën e diellit.

Gazetarëve të mëdhenj të cilët,  vënë kasetat e botojnë njoftimet identike siç ua nis zyra e shtypit të kujtdo Bashkie apo Ministrie, në këmbim të ndonjë shtëpie, projekti, vendi pune për familjarët.  Kanë mbetur pak nga ata që meritojnë  respekt dhe duken 1 kilometër larg, që vuajnë nga ajo çka i duhet të  gëlltisin.

E nëse  disa nuk vuajnë më, janë paqtuar me realitetin  e për këtë mirë bëjnë se ndryshe, do ta gjenin veten në ndonjë spital psikiatrik, ca nga lodhja ca nga llumnaja që jep leksione e shet moral  për të vërtetën.

U ngacmova e u keqardha sepse një pjesë  s’kanë nga t’ja mbajnë  brenda një tregu të çatrafiluar, shkatërruar, denatyruar, të uzurpuar nga të njëjtat fytyra që ftohen nga po  të njëjtët persona që nuk duan t’i shohin fare me sy.

Në një treg të mbushur me studio ku militanti bëhet student ekselence dhe ish-profesori që bënte fushatën e rektorit të një partie, bëhet zv.ministri i një partie tjetër. Në një treg mediatik që busulla rri vetëm nga krahu i një grushti njerëzish që pasurohen më shumë sesa politikanët që përflasin .

U keqardha, për ato kolege që prisnin  dikur deri në 3 të mëngjesit për të marrë listat e fituesve të arsimit të lartë se nuk pranoheshin në punë nëse nuk i kishin, për ato ish-kolege që dikur i lexoja sepse prodhonin vazhdimisht lajme që prekin njerëzit (ata të thjeshtët, pa përkrahje).  

U keqardha, për diplomën  e marrë me titullin  “Gazetar”. U keqardha për veten dhe për të gjithë ata që kanë tentuar të ngrenë zërin, por nuk kanë arritur t’ja dalin  të ndryshojnë asgjë, sepse kanë qenë ose më të drejtpërdrejtë seç duhet, ose pa “krahët” që të jep lëpirja dhe jo vetëm…ndaj cilitdo pushteti. 

Në fund o janë  dorëzuar, o  janë larguar, ose kanë heshtur. Natyrisht   ka dhe nga ata që janë asimiluar, por vetëm në dukje ama, se i përndjek e shkuara, kryesisht natën…! U keqardha, kur i kaloja ngjitur studentëve sot tek “21 dhjetori”  të cilëve u shkëlqenin sytë nga energjia e shpresës se po luftonin për një kauzë  dhe me besimin se do ndryshojë diçka! 

U keqardha sepse e di si do ndihen ata pas disa vitesh, në një vend që po prodhon tufa qeniesh njerëzore që ta dërrmojnë shpresën dhe duan të të përçudnojnë  personalitetin!

Në mos u bëfshin pjesë e këtyre tufave, do jenë larguar të gjithë duke ua lënë Tiranën e gjithë Shqipërinë, politikanëve me bluza plot  babagjyshë e lule pishe, me gjini të dyshimtë, modestë parë nga televizioni, të ëmbël dhe aspak arrogantë, por që pazaret e gjobat i kanë më të forta se ata të vjetrit edhe pse tentojnë t’i shesin me buzeqeshjet false.

Krah tyre, do shohim me prodhimet e reja të makinave shëtitësit dhe shëtitëset  nga një tavolinë pronarësh e binzesmenësh në tjetrën, që do na shesin dëngla edhe më qesharake se këto që po dëgjojmë, duke na përplasur më fort në fytyrë titullin “Gazetar”, që nuk e kanë as në diplomë, por që thjesht e përdorin sa herë u duhet, kur vetëm të tillë nuk janë!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *