Në vitin 2011, Shqipëria u fut nga Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave (raporti i klasifikon vendet me potencial të lartë të pastrimit të parave në listë të zezë dhe gri). Më pas, në 2015-n, Shqipëria do të dilte nga lista gri, një vlerësim ky që në atë kohë ishte mjaft pozitiv. Vendi kishte pesë vjet kohë që të adresonte problemet për të dalë përfundmisht nga zona e rrezikut.
Por, në raportin e 2018-s, Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve që do t’i nënshtrohen një ndjekjeje apo monitorimi të zgjeruar nga ana e Moneyval për shkak të dobësive që janë konstatuar në raportin e fundit të lidhur me masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit. Një fjali e kaluar pa shumë vëmendje duket se përçon pikërisht këtë mesazh kur thekson se “bazuar në rezultatet e vlerësimit të tij Moneyval vendosi që të aplikojë procedurën e ndjekjes së zgjeruar në Shqipëri”.
Nëse brenda afatit të vaktuar, Shqipëria nuk adreson problemet, atëhere ajo, në një hap pas, rrezikon të hyjë sërish në listën gri të vendeve që kanë rrezik të lartë të pastrimit të parave.
Por çfarë është në fakt një ndjekje apo monitorim i zgjeruar? Në sistemin e Moneyval “enhanced folloë up – ndjekje e zgjeruar” shpjegohet si një nga tre procedurat që vlerësojnë masat e marra nga autoritetet sipas standardeve dhe rekomandimeve të Task Forcës për Vlerësim Financiar(FAFT) kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.
“Territoret apo shtetet mund të vihen nën ndjekje të zgjeruar në rast se identifikohet papajtueshmëri serioze me standardet apo ku shtete apo territore nuk kanë marrë masa të kënaqshme për të dalë jashtë sistemit 5 vjeçar të vlerësimit të rregullt pas miratimit të raportit. Hapa të ndryshëm mund të aplikohen nën monitorimin e zgjeruar siç mund të jetë aplikimi i një prej hapave të “Procedurës së Pajtueshmërisë”, një plan veprimi që mund të zhvillohet dhe nxjerr në pah dobësitë mund të vijojë vlerësimi për raundin në vijim ose masa të tjera pajtueshmëria mund të aplikohen nëse e gjykon me vend Komisioni Europian.
Çfarë është Procedura e Pajtueshmërisë?
Në raportet që ndjekin procedurën e zgjeruar një nga opsionet që aplikohet është ajo e procedurës së pajtueshmërisë. Referuar faqes së Moneyval kjo procedurë përfshin katër hapa.
Hapi 1 : Moneyval fton Sekrtarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës që të nisë një letër ministrave përgjegjës të vendit apo shtetit duke iu tërhequr atyre vëmendjen për mospërmbushje të detyrimeve sipas dokumenteve të dakordësuara dhe masat e nevojshme korrigjuese që duhet të merren.
Hapi 2: Organizimi i misioneve të nivelit të lartë në vendet që nuk kanë përmbushur detyrimet për të takuar ministrat dhe zyrtarët e lartë dhe për të ritheksuar mesazhin.
Hapi 3: Në kontekstin e aplikimit të rekomandimit 19 të FAFT në vendet e Moneyval bëhet lëshimi I një deklarate publike formale ku theksohet se vendi apo shteti nuk ka përmbushur detyrimet e tij dhe ftohen anëtarët e rrjetit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit që të marrin parasysh rreziqet që shfaq vendi që s’ka përmbushur këto detyrime.
Hapi 4: Referimi i çështjes për një vlerësim të mundshëm nga Grupi i Rishikimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar nën FAFT nëse përbush kriteret që janë vendosur nën procedurat e këtij grupi.
FAFT është edhe organizimi që bën vlerësimin e vendeve që hyjnë apo dalin nga lista e rrezikut të pastrimit të parave dhe bashkëpunimit që kanë shtetet me njëra-tjetrën.
Raporti
MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave ka publikuar sot raportin kundër pastrimit të parave për Shqipërinë, i cili është shumë negativ dhe vihet në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohe që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. Sektorët që përbënin më shumë rrezik për pastrim parash ishin ai i lojërave të fatit, pasurive të paluajtshme dhe kompanive offshore (beneficiary onwnership).
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al