Autoriteti i Medias Audiovizive lajmëroi të gjitha mediet para dy ditësh se po shqyrtonte disa ndryshime. Ndryshimet ligjore cënojnë vetë median. Por për çfarë bëhet fjalë?
Te AMA po diskutohen ndryshime në ligjin “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”. (Lexo këtu projektLigji AMA 7.12)
Përmes këtij ligji, portalet do të gjobiten në shuma nga 100 000 lekë deri në 1 000 000 lekë e deri në pezullim të aktivitetit të tyre, në rast se Këshilli i Ankesave do të arrijë në përfundimin se ka bërë “lajme të njëanshme”.
Kryeministri Edi Rama prej kohësh po përpiqet t’i denigrojë dhe kontrollojë mediet, por së fundmi duket se këtë po kërkon ta realizojë në një rrugë ligjore, përmes një projektligji.
Si e ka bërë këtë gjë?
1-Mënyra e parë ka qenë duke përdorur thirrjet “kazan, kazan”, mbi të gjitha për ato media që kanë qenë kryesisht profesionale dhe kritike me qeverinë. Por duket se kjo nuk funksionoi, pasi këto media e ruajtën qëndrimin e tyre kritik dhe profesional ndaj qeverisë, te të cilat besimi i publikut nuk pësoi ndonjë tronditje.
2-Mënyra e dytë është taktika për regjistrimin e portaleve në AKEP, që Rama e tentoi rreth dy muaj më parë. Mirëpo rezultoi se kryesisht këto portale kritike ishin të regjistruara dhe e ushtronin veprimtarinë e tyre konform ligjit. Nuk ka ndonjë portal me rëndësi që të jetë mbyllur prej regjistrimit.
3-Mënyra e tretë, krijimin i një drafti projektligji. Tani kryeministri kërkon të kapet me përmbajtjen e këtyre mediave, pra kërkon t’i censurojë në pikëpamjen e përmbajtjes duke u kërkuar përmes një projektligji të mos bëjnë lajme të njëanshme. Por kush e kontrollon “njëanshmërinë” e përmbajtjes së këtyre portaleve? Atë do ta bëjë “Këshilli i Ankesave”, pjesë e AMA-s, një autoritet me lidhje direkte me parlamentin, shumicën e së cilës e ka Edi Rama.
Nuk dihet nëse Rama e ka seriozisht kësaj radhe, për t’i shkruar deri në fund këtij projektligji, apo ai thjesht e ka hedhur në tavolinë për të shpërqëndruar vëmendjen nga protestat e studentëve e skandaleve që kanë mbërthyer qeverinë që drejton./Hashtag.al