Vendosni fjalën kyçe....

Studentët nuk ndalen, sot bllokojnë akset kryesore të Tiranës


Që prej ditës së djeshme, studentët e kanë përshkallëzuar protestën e tyre duke bllokuar rrugët kryesore të Tiranës e duket se të njëjtën gjë do të bëjnë edhe sot.

Në rrjetet sociale, studentët paralajmërojnë të bllokojnë rrethrrotullimin te dogana, rrugën e elbasanit tek rrethrrotullimi te fakulteti ekonomik, sheshin Ëilson, kryqëzimin e 21-shit dhe kryqëzimin te 9-katëshet.

Protesta nëpër fakultete do të nisë që në orën 08:30, ndërsa nga ora 09:30 deri në orën 14:00 do të bllokohen rrugët.

Të njëjtën gjë bënë edhe dje studentët, në ditën e 13-të të protestës së tyre. Një pjesë bllokoi kryqëzimin pranë Bankës së Shqipërisë, një pjesë tjetër kryqëzimin e Zogut të Zi dhe një pjesë e tretë kryqëzimin që ndodhet pranë Kryeministrisë. Kjo ndodhi pasi planet e studentëve për të rrethuar simbolikisht nuk u realizuan.

Situata para Kryeministrisë u tensionua dje pasi policia ka dhunuar studentët që po protestonin para zyrës së shefit të qeverisë.

Teksa ata të kapur dorë pas dore donin të rrethonin Kryeministrinë në mënyrë simbolike, nuk janë lejuar nga ana e punonjësve të policisë dhe një pjesë prej tyre dëshmojnë se janë dhunuar.

Policia nuk i ka lejuar ata që të kalojnë në rrugë të tjera dhe të rrethojnë godinën.

“Policia të shkojë te bandat, të arrestojë ata dhe jo të merret me studentët.  Jam dhunuar nga një palo polic që më ka goditur me gju. Megjithatë ne jemi për protesë paqësore dhe kam qenë unë i pari që jam goditur por kam bërë thirrje për qetësim të situatës.” – dëshmon njëri nga studentët protestues.

Studentët sot ndodhen në ditën e 14-të të protestës së tyre dhe kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *