Në takimin e sotëm që kryeministri Edi Rama po zhvillon me studentët e Universitetit Bujqësor, një studente ka braktisur sallën.
Para se të largohej nga salla, studentja nxori bllof kryeministrin Edi Rama dhe rektorin pasi ky i fundit i kishte lajmëruar studentët për një takim me të dhe jo më kreun e qeverisë.
“Rektori na kishte njoftuar për një takim me studentë dhe pedagogë, nuk ka tha që do vinit ju këtu. Unë jam kundër kësaj përçarjeje që po përpiqeni të bëni ju. Prandaj jam e para që do të braktis mbledhjen, sepse rektori na ka gënjyer”, tha studentja.
“Unë nuk e di çfarë bëni ju me rektorin, kjo është puna juaj.”, u përgjigj Rama i zënë në befasi.
Ndërkohë një video po qarkullon në rrjetet sociale, e cila sugjeron se studentëve të Universitetit Bujqësor, nuk u lejohet të marrin pjesë në takimin që po zhvillohet në këto momente me kryeministrin Edi Rama, në rast se nuk e kanë emrin në listën e rektorit.
Siç sugjeron edhe kjo video, rektori i Universitetit Bujqësor, Bahri Musabelliu ka thirrur disa studentë në takim dhe nuk i lë të hyjnë ata që nuk janë të zgjedhurit e tij./Hashtag.al