Një pjesë studentësh të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, që u futën në takimin me kryeministrin Rama, kanë dalë nga takimi.
Pasi disa prej tyre morën fjalën duke i parashtruar kryeministri Rama kërkesat e tyre, ata kanë nisur të thërrasin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” dhe më pas janë larguar nga salla ku po zhvillohet takimi.
Pas kësaj kreu i qeverisë ka thënë se brohoritjet e tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me Evropën dhe më pas ka vijuar bashkëbisedimin me studentët e tjerë në sallë.
Ai ka thënë se ata që u larguan nuk përfaqësojnë të gjithë studentët që kanë ditë që protestojnë. Studentët kanë kërkuar që kryeministri të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre dhe pas kësaj ata mund të ulen në bisedime me qeverinë për të përcaktuar mënyrën si dhe kur do plotësohen kërkesat e tyre.
Fillimi i mbledhjes është shoqëruar me tensione duke qenë se studentët jashtë godinës thërrisnin “Turp, turp” e “Servilë” për studentët që u futën në takim me kreun e qeverisë.