Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria tjetër shpërblim për fundvit, kësaj radhe “3 mijë lekë”


Sot qeveria vendosi të akordojë paketën e solidaritetit për familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar, duke ofruar 3 mijë lekë shpërblim për personat me aftësi të kufizuar.

“Çdo familje përfituese e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar do të përfitojnë 3 mijë lekë shpërblim, me rastin e festave te fundvitit. Kjo paketë solidariteti konfirmon edhe njëherë vëmëndjen dhe përkujdesin e qeverisë per ata që kanë nevojë për përkujdes dhe mbështetje në këtë prag festash”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ndërsa prezantonte paketën e fundvitit.

Kështu vetëm pak ditë pas shpërblimit prej 5 mijë lekësh për pensionistët, qeveria ka menduar të shtojë një tjetër shpërblim edhe për kategoritë e tjera, si personat me ndihmë ekonomike apo ata me aftësi të kufizuar.

Por opozita reagoi ashpër ndaj shpërblimit prej 5 mijë lekësh për pensionistët, duke e konsideruar tallje për shkak të pensioneve të ulëta dhe rritjes së çmimeve.

Sipas ministres Manastirliu, qeveria ka përcaktuar një buxhet prej 396 147 000 lekësh në funksion të paketës së solidaritetit së fundvitit.

Nga paketa e solidaritetit e fundvitit të miratuar nga qeveria do të përfitojnë 62,640 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe 69 000 persona me aftësi të kufizuara.

Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë të cilët do të përfitojnë shpërblimin e fundvitit për vitin 2018 janë:
a) Familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familje të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar;

c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.
Pas vendimit për shpërblimin e pensionistëve, ky vendim tregon vëmendjen e Qeverisë për shtresat më në nevojë në këtë prag festash.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *