Studentët që do hyjnë në takim me kryeministrin Rama në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës janë pritur me fishkëllima nga një pjesë e studentëve që qëndrojnë jashtë godinës dhe protestojnë prej disa ditësh.
Të mbledhur në hyrje të universitetit ata kanë thërritur: “Turp, turp, servila!”.
Ata kanë denoncuar kërcënimet që u janë bërë atyre dhe familjeve të tyre në rast se marrin pjesë në protestë.
Studentët e Vlorës kanë disa ditë që protestojnë, ashtu si studentët në universitetet e tjera të vendit.
Ata kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave që kanë bërë që prej ditëve të para të protestës dhe në rast mosplotësimi të tyre kanë deklaruar se nuk do i ndërpresin protestat.
Ditët e fundit kreu i qeverisë ka zhvilluar takime me disa studentë e pedagogë në Tiranë ndërsa sot ka vajtur në qytetin e Vlorës.
Ndërkohë në Tiranë ka vijuar edhe sot bojkotimi i mësimit dhe protesta e studentëve.