Vendosni fjalën kyçe....

SHBA tërheq trupat nga Siria, hapet rruga e Turqisë


Shtëpia e Bardhë konfirmoi këtë të mërkurë nisjen e tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, vetëm pak pasi presidenti Donald Trump deklaroi se grupi i Shtetit Islamik ishte “mposhtur” atje.

Sekretarja për shtypin, Sarah Sanders tha se trupat amerikane e kanë nisur tashmë kthimin në shtëpi. Rreth 2.000 trupa ndihmuan të rimarrjen e një pjese të konsiderueshme të verilindjes së Sirisë nga Shteti Islamik, e megjithatë, disa “xhepa” luftëtarësh mbeten ende në terren.

Vendimi i Trumpit duket se vjen në kontradiktë me atë çfarë dëshironin zyrtarë të mbrojtjes, pikërisht ruajtjen e pranisë amerikane atje për të garantuar mosshfaqjen e sërishme të ISIS-it. Frika ekziston gjithashtu se me këtë veprim, ndikimi në Siri apo më gjerë në rajon do të shkojë në favor të Rusisë dhe Iranit.

Përmes deklaratës së saj, Sanders tha se “kemi nisur rikthimin e trupave të Shteteve të Bashkuara në shtëpi, ndërsa aktualisht jemi në periudhën e tranzicionit drejt fazës tjetër të kësaj fushate”.

Ajo nuk dha detaje të kësaj fushate, por tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët “qëndrojnë të gatshëm të rikthehen në çfarëdolloj niveli për të mbrojtur interesat amerikane kudo që të jetë e nevojshme, e do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht për t’iu mohuar terroristëve të radikalizuar islamikë më shumë territor, financim, mbështetje apo çfarëdolloj mënyre që të infiltrohen në kufijtë tanë”.

Pentagoni ka refuzuar deri më tani të komentojë, ndërsa senatori republikan Lindsey Graham, anëtar i Komitetit për Forcat e Armatosura, e quajti këtë “një gabim të madh të ngjashëm me ato të Obamës”.

Vetëm pak ditë më parë, Brett McGurk, i dërguari special presidencial për koalicionin global që luftoi ISIS-in, sugjeroi që trupat amerikanë të mos tërhiqeshin.

“Askush nuk po thotë se luftëtarët e ISIS-it do të zhduken, askush nuk mund të jetë kaq naiv. Ndaj, ne duam të qëndrojmë në terren dhe të garantojmë se stabiliteti duhet ruajtur në këto zona”, tha ai. Por, presidenti Trump kishte premtuar më herët këtë vit se trupat amerikanë do të linin Sirinë “shumë shpejt.

Konfirmimi për tërheqjen vjen pasi Turqia tha se po përgatitej për të nisur një operacion kundër milicive kurde të mbështetura nga SHBA në Sirinë veriore, gjë që rrezikon konfrontimin me Shtetet e Bashkuara.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *