Edhe studentët e Universitetit të Tetovës do zhvillojnë sot një protestë. Ata kërkojnë frenimin e korrupsionit, ndaljen e emërimeve nepotike si dhe drejtësi.
Studentët shqiptarë të këtij universiteti kanë shprehur pakënaqësi për gjendjen e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni.
Ata i janë bashkuar protestës që po zhvillohet nga studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup si dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.
Studentët kanë paraqitur një listë më 13 kërkesa për qeverinë e Zoran Zaevit ku kërkojnë heqjen e pagesës së praktikës dy mujore, zvogëlimin e tarifës për studentët e huaj, largimi i pagesës prej 100 eurosh për ç’regjistrim nga universiteti, ndalimin e kushtëzimit me blerjen e librave nga ana e profesorëve të caktuar, furnizimin dhe rinovimin e sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme për studentët.
Ata kërkojnë gjithashtu që parlamenti studentor të jetë i pavarur nga rektori dhe partitë politike, rishikim të titujve akademikë dhe verifikim të plagjiaturave, ndërprerjen e ndikimi të emërimit të mësimdhënësve nga partitë politike dhe çlirimin urgjent të Universitetet nga nepotizmi.