Ardisa Çobo është studentja e cila sot u përball me kryeministrin Edi Rama dhe i dha atij një leksion. Në një prononcim për “Ora News”, Ardisa rrëfeu arsyet që e kanë çuar atë të ngrihet në protestë.
Ardisa thotë se këtë protestë nuk po e bën për vete, pasi ajo është në vit në tretë në bachelor dhe po e përfundon shkollën, por këtë po e bën për studentët e ardhshëm.
Studentja e cila i doli sot përpara Ramës, tregoi rastin e kushërirës së saj, e cila për shkak të pamundësisë ekonomike nuk do i vazhdonte studimet e larta.
“Këtu në Vlorë njëherë jam shumë e pakënaqur. Studentët këtu janë të përfshirë në politikë, disa kanë edhe frikë. Arsyet e veta dmth. Duhet të kuptojnë diçka të gjithë studentët. Këtë nuk po e bëj për veten time. Unë mbarova, unë do iki. Kjo është një protestë që bëhet edhe për ata që do të vijnë.
Rasti im konkret që jam ngritur që ditën e parë. Vajza e xhaxhait tim, babain e ka të sëmurë, invalid dhe merr një pension qesharak prej 45 mijë lekësh, ndërsa ilaçet i kushtojnë më shumë se 700 euro. Tani ajo vajzë nuk e ëndërron të vijë në këtë universitet. Nuk ka të drejtë sepse nuk ka mundësi. I punon vetëm nëna. Si mund të vijë ajo këtu. Kush do ta mbështeti atë vajzë? Unë do ta mbështes? Unë nuk po bëj dot shkollën time. Si do ta ndihmoj unë atë? Apo ta shikoj ta martojnë e të bëjë fëmijë, të mbylli jetën e saj aty?”, tregon Ardisa mes lotësh.
Më tej e reja tregon se vetë është në përfundim të Bachelorit dhe studimet në master nuk i vazhdon dot. Ajo ka vendosur të punojë një vit, pasi nuk ka mundësi financiare dhe studimet e mëtejshme t’i fillojë në një moment të dytë.
Historia e Ardisës përloti edhe gazetaren që po e intervistonte.