Më shumë se 50 pedagogë të Fakultetitt të Shkencave Sociale i janë bashkuar protestës së studentëve. Ata kërkojnë shfuquzimin e ligjit për Arsimin e Lartë, që sipas tyre është edhe problemi që ka shkaktuar kaosin dhe gjithë problematikën që ka çuar në protestat e studentëve.
Ata kanë nënshkruar njëdokument ku kërkojnë pikërisht shfuqizimin e këtij ligji. Për të mbështetur kërkesën e tyre ata kanë shpërndarë edhe një dokument drejtuar rektoratit që në fillim të vitit 2015 ku ata bënin vërejtje thelbësore për reformën ende të pa miratuar në parlament.
Deri tani kryeministri Rama, në takimet që ka pasur me disa studentë e pedagogë nuk ka bërë të ditur se ka ndërmend ta shfuqizojë këtë ligj.
Ndërkohë studentët kanë vijuar edhe sot protestën duke braktisur auditoret e mësimit. Ata kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend që të tërhiqen nga plotësimi i 8 kërkesave që kanë parashtruar që prej ditëve të para të protestës. Sot ata u mblodhën para Kuvendit ku u mbështetën nga mijëra qytetarë.