Gjykata ka liruar nga burgu Rexhep Rrajen, djalin e deputetit socialist të Fushë-Krujës, Rrahman Rraja.
Edhe pse prokuroria kishte kërkuar 1 vit burg për të riun, me akuzën e dhunës dhe përndjekjes ndaj një vajze të re në Fushë-Krujë, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri e ka dënuar Rrajen me 1 vit shërbim prove.
Rexhep Rraja u arrestua para pak javësh pas video-dëshmisë së ish-nënkomisarit të policisë, Emiljano Nuhu, i cili rrëfeu për kërcënimin që i ishte bërë atij për të mbyllur çështjen e Rexhep Rrajës për dhunën ndaj një vajze të re në Fushë-Krujë. Pas kësaj, e reja e mohoi dhunën ndaj saj ndërsa tha se mediat kishin abuzuar me deklaratat e saj.
Partia Demokratike e ka dënuar lirimin e Rexhep Rrajes duke thënë se kjo tregon standartin e dyfishtë të drejtësisë që kontrollon Edi Rama.
“Vendimi për lirimin e përdhunuesit Rexhep Rraja është një tjetër provë e rënies së sistemit të drejtësisë. I biri i deputetit mafioz të Fushë Krujës është lënë i lirë jo për t’i shërbyer komunitetit, por për t’i shërbyer pushtetit kriminal të Edi Ramës. Lirimi nga burgu i djalit përdhunues të deputetit socialist tregon standardin e dyfishtë të drejtësisë që kontrollon Edi Rama.
Nga njëra anë, mbahen në burg qytetarët që nuk paguajnë dot dritat, nga ana tjetër, lihen të lirë ata që vjedhin votat për Edi Ramën, përdhunuesit, vrasësit dhe trafikantët e drogës. Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin vjedh votat dhe bashkëqeveris.” – thuhet në deklaratën e PD-së.