Nxënësit e klasës së 8 A të shkollës Avni Rustemi, teksa kanë qenë në një ekskursion të organizuar nga mësuesja e tyre kujdestare Albana Vathi, kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli në prani të mësueses së tyre dhe janë dehur.
Kanë qenë vetë nxënësit e klasës së 8 A që kanë xhiruar bashkëmoshatarët e tyre, duke pirë në autobus, ndërsa me ta udhëtonte edhe mësuesja e tyre, e cila kishte organizuar ekskursionin. Në videot që Fiks Fare ka siguruar shfaqen nxënësit e kësaj shkolle duke pirë raki në autobus, ndërsa ngrenë shëndet edhe për mësueset e tyre. Pas dehjes se nxënësve mësuesja kujdestare, i ka zbritur fëmijët në një park lodrash për fëmijë në Durrës, për t’i vonuar ata me qëllim që t’u dilte pija që kishin konsumuar.
Pas disa orësh qëndrimi në Durrës, mësuesja Albana Vuthi i ka sjellë fëmijët në afërsi të shkollës “Avni Rustemi” në Tiranë, duke i lënë në gjendje të dehur pranë shkollës dhe duke u larguar më pas në shtëpinë e saj. Ndërsa adoleshentët kanë vajtur në gjendje të dehur në shtëpitë e tyre, kanë qenë prindërit, që kanë telefonuar mësuesen e tyre e më pas kanë bërë edhe denoncimin tek Drejtoresha e shkollës për skandalin që kishte ndodhur.
Hezitimi i vazhdueshëm i drejtuesve të shkollës për të mos marr asnjë masë ndaj mësueses duke e kaluar situatën në heshtja, ka bërë që prindërit t’i drejtohen emisionit ” Fiks Fare”, për një bashkëpunim me gazetarët. Prindërit e fëmijëve kanë takuar drejtoreshën dhe zëvendës drejtoreshën e shkollës “Avni Rustemi” të cilat u kanë kërkuar atyre edhe denoncimin me shkrim për mësuesen. Gjatë ballafaqimit me drejtueset e kësaj shkolle ata janë shprehur se ” nuk kishim dijeni për organizmin e këtij ekskursioni dhe as kishim dhënë leje”. Ndërsa janë shmangur duke theksuar se “fëmijët kishin lëvizur me mësuesen kujdestare në fundjave dhe jashtë orarit mësimorë”.
Të ndodhur para faktit të filmimeve të nxënësve në momentin që ata pinin alkool, ka bërë që drejtuesit e shkollës të reflektojnë dhe të shprehen, se “kjo është një ngjarje e rëndë”. Gjatë bisedës me drejtuesit e shkollës prindërit kanë treguar se mësuesja kujdestare e fëmijëve të tyre u kishte kërkuar të dërgonte nxënësit për ekskursion edhe në Prizren, dhe pagesa që fëmijët duhej të pagunin ishte 70 euro, për qëndrimin një natë atje. Ekskursion i cili nuk është bërë pasi mundësit për përballimin e kësaj kostoje ka qenë e pamundur nga prindërit e fëmijëve.
Pas reagimit të prindërve mësuesja Albana Vuthi, ka nisur edhe përplasjet me fëmijët të cilët kanë bërë denoncimin. Prindërit janë ankuar se fëmijët e tyre po diskriminoheshin nga mësuesja kujdestare, vetëm për shkakun se ata kishin denoncuar rastin skandaloz të pijes së alkoolit. Gjatë ballafaqimit drejtuesit e shkollës u kanë kërkuar prindërve që situatën ta zgjidhnin privatisht, por prindërit janë shprehur se ata kanë ardhur në institucionin shkollor për ta zgjidhur ligjërisht atë. Disa prej fëmijëve që prindërit e tyre kanë bërë denoncimin i kanë larguar nga ekskursionet tjetër i cili ishte planifikuar të bëhej nga Vathi, dy javë pas skandalit të konsumimit të alkoolit nga ana e nxënësve. Ekskursion i cili është bllokuar nga prindërit e nxënësve.
Të gjithë këto fakte janë pranuar nga ana e mësueses Albana Vathi, e cila u ka kërkuar falje prindërve, duke garantuar se nuk do ndodhin më, por prindërit kanë kërkuar zbatimin deri në fund të ligjit.
Rasti skandaloz i situatës i është bërë e ditur edhe Drejtorisë Arsimore në Tiranë e cila ka dërguar një inspektore të ndjek situatën e krijuar. Në ballafaqimin e dytë mes drejtuesve të shkollës, inspektores është shprehur se rasti është shumë i rëndë dhe do merren masa sipas ligjit. Ndërsa ka kërkuar që rasti të mos bëhet mediatik , pasi kjo gjë do të rëndoj fëmijët. Shprehje kjo që ka hasur në reagimin e prindërve të cilët e kanë marrë si kërcënim nga ana a e inspektores së Zyrës Arsimore Tiranë.
Ndërkohë që burime të informacionit bëjnë të ditur se mësuesja Albana Vathi, ka marrë masën e disiplinore ” vërejtjet me paralajmërim për largim nga puna” për një kohë gjashtë mujore.