Që pas incidentit përballë Kuvendit në protestën e 22 nëntorit ku u plagos efektivja Ina Nuka, policia ka nisur një aksion për të sekuestruar kapsolla dhe fishekzjarre, në një kohë kur jemi në prag festash dhe këto janë produktet më të kërkuara.
Policia e promovon “superaksionin” edhe me video të herëpasheshme në rrjetet sociale, ku shihet një numër i madh efektivësh që kërkojnë nëpër supermarkete e markete, kapsollat me rrezikshmëri.
“Vijojnë kontrollet në dyqane dhe pika shumicash në bazë të planit të masave për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën.
Si rezultat i kontrolleve deri më tani nuk janë konstatuar kapsolla, apo produkte piroteknike që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për shëndetin dhe jetën.
Policia e Shtetit fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregtimit të këtyre lëndëve në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë policia thotë se kontrollet do vijojnë.