Maxhoranca ka rrëzuar kandidaturën e propozuar nga Presidenti i Republikës për Vitore Tushën si kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Tusha nuk mori besimin e deputetëve socialistë, të cilët votuan me 71 vota kundër, 1 pro dhe 3 abstenim.
Më herët, edhe Komisioni i Ekonomisë e rrëzoi kandidaturën e saj për zëvendësimin e kreut aktual të KLSH-së, Bujar Leskaj. Sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, Tusha është shumë e kualifikuar për detyra të tjera, por ka mangësi në atë të drejtimit të KLSH-së.
Deputeti socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu, ishte i vetmi që mbështeti me votë kandidaturën e Tushës për në krye të KLSH-së. Ndërsa Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni dhe Almira Xhembulla ishin tre deputetet që abstenuan.
Presidenti Ilir Meta, e ka konsideruar Vitore Tushën si propozimin më të mirë të mundshëm, pasi ka kaluar edhe Vettingun me sukses.
“Propozimi im mendoj ka qenë më i miri i mundshëm për të gjitha arsyet që kanë të bëjnë me kriteret sipas vlerësimit tim, që duhet të ketë një drejtues i KLSH-së në këtë situatë që e forcon pavarësinë e këtij institucioni. Mos harrojmë që ky është institucioni që bën auditimin e institucioneve të tjera publike në vend dhe zonja Tusha e ka kaluar ‘vetting’-un e saj me sukses”– deklaroi Meta kur shpalli propozimin e tij.
Tusha është mes gjyqtarëve që kanë shpallur si jokushtetuese çështje me ndjeshmëri të lartë publike, sikurse marrëveshja e detit, apo ligji i lustracionit, ndërsa u rreshtua mes gjyqtarëve kushtetues që i thanë po ligjit të vettingut.