Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Vasili, ka deklaruar se deputetët e Partisë Socialiste në parlament nuk janë asgjë më shumë sesa argatët e oligarkëve.
Ai i është referuar miratimit në mënyrë banditeske të projektligjit që ul tatimin mbi të ardhurat për oligarkët nga 15% në 8%. Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë është bërë mbrëmë dhe në orën 10 të darkës është miratuar jashtë çdo rregulli e procedure.
Deklarata e Vasilit
“Mbrëmë argatët e oligarkëve në Parlamentin e Shqipërisë, konsumuan aktin e fundit të asgjësimit të këtij Parlamenti. Mbrëmë në mënyrën më banditeske, Komisioni i Ekonomisë në orën 7 e gjysëm të darkës, ka shqyrtuar dekretin e Presidentit, i cili kthente mbrapsht uljen e normës së tatimit mbi të ardhurat për oligarkët, pra nga 15% në 8%, për ta rishikuar, pasi ky ishte një favor, një ndihmë, një dhuratë e madhe, të cilën argatët e Parlamentit u bënin oligarkëve.
Në shkeljen dhe dhunimin më të paprecedentë në 27 vjet Parlament pluralist, jashtë çdo rregulle dhe procedure, kjo u fut në orën 10 të darkës për t’u miratuar dhe duke shkelur e dhunuar çdo procedurë. Argatët e oligarkëve i bënë për fund peshqesh atyre dhe Parlamentit, duke ia dhënë tërësisht me koncesion atë.
Që nga sot Parlamenti shqiptar nuk është më një institucion që funksionon me rregulla, nuk është një institucion që përfaqëson interesat më të mira të qytetarëve, por është një Parlament të cilin oligarkët e kanë në grusht, i porosisin ligjet për veten e tyre, i miratojnë argatët e tyre në parlament dhe i miratojnë në mënyrën më banditeske siç e thashë edhe një herë.
Porcedurat e parlamentit flasin qartë, dekretet shqyrtohen, marrin kohën e tyre, depozitohen në rendin e ditës si çdo lloj ligji tjetër dhe futen më pas për miratim, por argatët e oligarkëve duke qenë se prisnin të merrnin dhuratën e vitit të ri, shumë të madhe, pasi tatimi ulej nga 15% në 8%, kishin një 7% për të ndarë që i thonë qindra miliona euro.
Duke e shkelur ligjin dhe duke e bërë edhe me fuqi prapavepruese që është një banditizëm tjetër kushtetues, ndërsa mbrëmë duke e konsumuar në këtë mënyrë, përfundimisht dhe pa asnjë mëdyshje shqiptarët duhet ta dinë që argatët e oligarkëve në Parlament e dhanë me koncension këtë kuvend dhe gjithë qëndrimi ynë i kushtëzuar në këtë Parlament të cilin e kemi damkosur si parlamenti i oligarkëve dje mori vulën e tij të zezë dhe përfundimtare.”