Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbuluar detajet mbi telefonatën e ministrit tonë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati me Sekretarin e Shtetit Amerikan Mike Pompeo.
Në këtë deklaratë, DASH thotë se Pompeo e telefonoi Bushatin për ta përgëzuar për vendimin e marrë për dëbimin e ambasadorit iranian.
“Sekretari i shtetit Pompeo telefonoi Ministrin e Jashtëm Shqiptar Ditmir Bushati për të përgëzuar qeverinë shqiptare për dëbimin e dy iranianëve, përfshirë ambasadorin e Iranit në Shqipëri, si përgjigje ndaj përgatitjeve të një komploti për një sulm terrorist në Shqipëri.
Me këtë vendim -vijon deklarata e DASH- Shqipëria rreshtohet krah vendeve të tjera të Evropës, si Franca dhe Danimarka. Veprimet e Shqipërisë përçojnë një mesazh të qartë se terrorizmi iranian është i papranueshëm në Evropë”, thuhet në deklaratën e DASH.
Më tej, Sekretari Pompeo ka uruar Ministrin Bushati për marrjen e kryesisë së OSBE për vitin 2020 ndërsa thekson se “mezi pret të bashkëpunojë me Shqipërinë në këtë organizëm të rëndësishëm”.