Pensionistët grekë kanë nisur të zhvendosen në disa nga vendet më të varfra të Europës, për shkak të shkurtimit të pensioneve të tyre ndër vite. Sipas intervistave të Bloomberg, pensionistët grekë kanë dhënë me qira apartamentet e tyre në vend dhe janë zhvendosur në Sofje të Bullgarisë, ku me të njëjtin pension mund të “jetojnë si mbretër”. Greqia, që është një ndër destinacionet e shumë pensionistëve europianë, po zbulon se qytetarët e vet kanë vendosur të jetojnë vitet e fundit të jetës së tyre në vendin më të lirë të Europës, Bullgari, pasi pensionet e tyre janë shkurtuar më shumë se 20 herë gjatë krizës së borxhit.
Duke marrë parasysh mundësinë e një përplasje tjetër të Greqisë me kreditorët ndërkombëtarë, që do të jetë e para pas daljes nga programi i shpëtimit në muajin Gusht, pensionistët mund të kenë bërë zgjidhjen e duhur. Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, rrezikon të krijojë impresionin e shmangies së reformave, ndërkohë që përpiqet të mos ulë pensionet në buxhetin e vitit të ardhshëm. Buxheti grek, që u dërgua në Komisionin Europian në Tetor, përfshin një skenar pa ulje të pensioneve. Qeveria argumenton se vendi mund të arrijë objektivat e suficitit buxhetor, përjashtuar kostot e shërbimit të borxhit prej 3.5% të Produktit të Brendshëm Bruto, pavarësisht shmangies së reduktimit të pensioneve.
Pse zgjedhin Bullgarinë?
Nga ana tjetër, sipas statistikave, pensionistët grekë duket se kanë bërë zgjedhjen e duhur që janë zhvendosur në Bullgari. Në vitin 2017, sipas të dhënave të agjencisë së statistikave të Bashkimit Europian, Eurostat, kostoja e jetesës së Greqisë ishte thuajse sa dyfishi i Bullgarisë, që qëndron në vend të fundit në Bashkimin Europian. Indeksi final i shpenzimeve për konsum të ekonomive familjare në Greqi qëndron në 84.3 pikë, krahasuar me 48.4 në Bullgari. Edhe pse ka pak të dhëna për zgjerimin e këtij fenomeni, statistikat e mbështesin këtë zgjedhje. Benzina kushton 1.14 euro për litër në Sofje, krahasuar me rreth 1.6 euro në Athinë; një kafe ekspres kushton 2.3 euro, ndërkohë që e njëjta markë në Greqi arrin në 4.7 euro; një biletë metroje kushton 80 cent në Bullgari, krahasuar me 1.4 euro në Greqi. Tarifat e telefonit janë gjithashtu thuajse të përgjysmuara.
Bullgaria u bë vend anëtar i Bashkimit Europian në vitin 2007 dhe është rritur me një normë mesatare vjetore ekonomike prej 2.4%. Nga ana tjetër, kriza e borxhit sovran i fshiu Greqisë thuajse 25% të prodhimit ekonomik, rriti ndjeshëm papunësinë dhe e çoi vendin në prag të daljes nga Eurozona. Bullgaria, vend ish-komunist prej 7 milionë banorësh, qëndron vendi më i varfër i Bashkimit Europian. Në vitin 2019, Bullgaria synon t’i bashkohet mekanizmit të kursit të këmbimit, ERM 2, që është periudha përgatitore për hyrjen në Eurozonë. Bullgaria i përmbush të gjitha kushtet për t’u bërë vendi i 20 anëtar i Eurozonës, duke marrë parasysh financat publike.