Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë Kryesinë e Partisë Socialiste dhe më 28 dhjetor edhe Asamblenë.
Në prag të Krishtlindjeve, socialistët do të analizojnë punën e qeverisë gjatë vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës, ndërsa do diskutojnë edhe për protestën e studentëve që e goditi rëndë qeverinë duke e zënë në befasi.
Nuk përjashtohen as ndryshimet në qeveri, duke patur parasysh se një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe në shtator, ndërsa së fundmi Rama duke iu referuar çështjes së studentëve ka deklaruar se do nxirren përgjegjësit për këtë situatë.
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare do të ishte zhvilluar disa javë më parë, por u shty për shkak të mos përfundimit të komandimit dhe emërimit të disa kryetarëve të PS-së në disa bashki.
Një nga pikat që do diskutohen në mbledhjen e sotme do të jetë dhe funksionimi i dobët i forumit eurosocialist FRESSH në funksion të protestës së studentëve, të cilët protestuan për 17 ditë para Ministrisë së Arsimit, Parlamentit dhe Kryeministrisë.
Duket se kjo virgjilje Krishlindjesh nuk do të jetë aspak e qetë për socialistët.