Dy Koretë kanë bashkuar simbolikisht rrjetet e tyre hekurudhore ndërsa fillojnë të punojnë për të rilidhur rrjetet e transportit mes dy vendeve.
Por ndërtimi i projektit të Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut nuk mund të fillojë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, që ndalojnë importin e metaleve dhe produkteve energjetike në Korenë e Veriut.
“Daily Mail” shkruan se në vend të kësaj, inxhinierët nga Veriu dhe Jugu – të cilat janë ende teknikisht në luftë – do të kalojnë dy vitet e ardhshme duke kryer studime të përbashkëta dhe duke bërë punë projektimi.
Ceremonia e bashkimit të hekurudhave u mbajt të mërkurën në Stacionin Panmun në qytetin kufitar të Kaesong.
Një tren i mbushur me 100 zyrtarë qeveritarë të Koresë së Jugut, ministra dhe anëtarë të familjeve të zhvendosura nga Lufta e Koresë, shkuan në stacionin ku u mbajt ceremonia.
Të pranishëm ishin edhe zyrtarë nga Kombet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Mongolia – mes planeve më të gjera për të lidhur Korenë e Veriut me hekurudhat trans-Siberi dhe trans-Kinë.
Por, duke nënvizuar shkallën e sfidave me të cilat ballafaqohet projekti, Koreja e Jugut kërkoi të marrë leje nga Këshilli i Sigurimit i OKB.
Kim Yun Hyok, ministri i hekurudhave të Koresë së Veriut, tha se Koreja duhet të shtyjë më tej angazhimin në vend të “zvarritjes”, duke dëgjuar ata që mendojnë të tjerët”, i konsideruar si qortim për Seulin për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Amerikën.
Koreja e Veriut ka shprehur në mënyrë të përsëritur pakënaqësinë rreth progresit të ngadalshëm në projektet e pajtimit, të dakorduara midis udhëheqësve të tyre.