Vendosni fjalën kyçe....

Tarifat ndaj Serbisë, bizneset në Kosovë zgjerojnë me 20% stafin


 

Kryetari i Aleancës kosovare të Bizneseve, Agim Shahini e cilësoi vitin 2018 si “jo të mirë” për ekonominë kosovare, duke bërë të ditur se problemi qëndron te diplomacia e vendit.

“Vitin 2018 e vlerësojmë si vit të tkurrjes ekonomike dhe të diplomacisë politike në Kosovë, sepse kemi pasur tkurrje të investimeve të huaja. Në gjashtëmujorin e parë, mbi 100 milionë, ndërsa në tremujorin e tretë të këtij viti ka më shumë se 500 milionë”, tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Ndërkohë, sipas Shahinit, vendimi për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe ato boshnjake nga Qeveria e Kosovës, ka bërë që të ketë rritje të kapaciteteve në kompanitë prodhuese.

“Në ekonominë e vendit është rritur më shumë se 20 për qind prodhimtaria vendore, është rritur punësimi mbi 15 për qind, dhe e gjithë kjo është bërë falë taksës. Njëkohësisht, kjo ka bërë që në çdo kompani prodhuese të rriten kapacitetet, pasi ekonomia e vendit dhe bizneset prodhuese anjëherë nuk e kanë pasur këtë mundësi kaq të madhe për ta rritur praninë në tregun e Kosovës. Do të ketë një rritje të lehtë të çmimeve, e që përsëri edhe kjo nuk do të ndikojë në rritjen e prodhimtarisë së qëndrueshme”, tha Agim Shahini.

Kryetari i AKB-së shtoi se, Shqipëria dhe Kosova i kanë rritur shkëmbimet tregtare mbi 34 për qind në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa sipas tij, viti i ardhshëm do të sjellë rritje më të madhe.

“Institucionet e shtetit duan që ta mbajnë taksën në çdo formë, sepse ajo po e rrit ekonominë e vendit, por edhe të Shqipërisë, me të cilën janë rritur shkëmbimet tregtare në krahasim me vitin e kaluar me 34 për qind”, tha Agim Shahini.

Shahini bëri të ditur gjithashtu se Kosova vuan nga mungesa e eksportit dhe se institucionet duhet të bëjnë reforma më të thella në aspektin e zhvillimit ekonomik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *