Vendosni fjalën kyçe....

Para dhe pas një krimi


Nga Anila Hoxha

Policia doli sërisht të mbledhë plumba. Plumba që u derdhën mbi 3 njerëz. Policia u mjaftua me dy gisht shkrim në whatsapp në grup për njoftuar cektazi se çfarë kishte ndodhur.

Asnjë e dhënë konkrete zyrtare, veç informacionit mediokër se në iks vend u qëllua dhe punohet që ngjarja të zbardhet. A kishin emër viktimat, nga ishin, ku kishin qenë, sa persona qëlluan? Asgjë prej tyre !!

Dhe ky nuk është sekret hetimor, është detyrim ligjor për të informuar publikun. Dhe as me whatsapp jo, por të dilet me zë e figurë, siç i ngjisin podiumet kur duan të mburren për gjobat . Policia mbrëmë numëroi sërisht plumbat e derdhur në një atentat të llogaritur dhe të planifikuar. Prokuroria hesht për krimin. Nëse do të kemi parasysh qytetin ku ndodhi atentati dhe përplasjet mes dy grupeve në Elbasan, vras mendjen ç’bëjnë ata ekspertët e hetimit parandalues? Zero informacion operativ. Zero informacion paraprak. Policia është bërë për të qarë hallin. Shërbimi informativ po ashtu. Prokurori zëre se nuk egziston. Shto edhe yshtjen ” ata po lajnë hesapet, ata kishin llogari të prishura droge” Dhe shteti rri e bën sehir. Inegzistent.

Trafikantët shesin e blejnë drogë sikur të ishte rrobë gabi, dhe kur u prishet peshorja, s’ka gjë do ta rregullojnë me plumba. Le të vriten thotë shteti. Grupet vazhdojnë të presin gjoba. S’ka gjë, do sqarohen me plumba. Nga burgjet vazhdohet të porositen krime, s’ka gjë mjafton që drejtorëve t’u lihen televizori plazma kur lirohet ndonjëri prej “kapove” !!! Mjafton që policët mos të pinë kafe brenda orarit, mjafton që policët mos të jenë në kryqëzime, mjafton që të duken bukur. Shtet fasadë!!!

Gjatë gjithë ditës së djeshme deri në mbrëmje u gjenda në Elbasan. Përsa kohë në tavolinë isha me gazetare lokale, i pyeta shpesh për Elbasanin. Isha kurioze të dëgjoja çfarë ishte bërë me Suel Çelën, dhe pse e di që ende nuk është arrestuar. Isha kurioze për Çapajt, apo përse Elbasani vazhdon të jetë kaq i vështirë, njëjtë si Vlora dhe Shkodra. Dhe më kujtohet ai aksioni blic në Vlorë kur pasi thanë se e krehën Vlorën mirë e mirë, nxorën prej andej njërin me armë pa leje. Lajm i bujshëm shumë, rendi u vendos, krimi u zmpraps!

Në Shqipëri vazhdojnë të kryhen operacione të zhurmshme, prej të cilave grupet vetëm sa gërvishten. Sa ju bllokohet ndonjë makinë apo u kapen ca fishekë, për të cilat policia lokale ju përgjërohet se do t’ua kthejë. Prokuroria fle, në gjumin më të rëndë që mund të ketë patur një institucion. Krimet e rënda kanë rënë, prokurorët aty numërojnë ditët, dhe merren me cështje qesharake. Edhe ajo historia e bujshme e sekuestrimit të ca makinave të një qytetari nga Elbasani u mbyll. Show vetëm show! S’ka asnjë emër ende kush e vrau Ervin Dalipajn dhe shokun e tij. Kush e vrau Edisonin e 7 pallateve? Kush e vrau ish-policin Bercama dhe bashkëjetuesen me të? Ka një listë emrash të vrarësh, që të gjithë e dimë se nuk u vranë për çështje banale, por nga bandat.

Çdo fund vit ka vrasje, lahen hesape por hetuesit nuk tunden. Nuk ndryshojnë mënyren si duhet parandaluar e si duhet të jetë prezent shteti për të arrestuar ” porositësit ” . Cili qytet e ka radhën për t’u tronditur nga atentate si i mbrëmshmi, Vlora, Durrësi apo Shkodra? Dhe për ta mbyllur. Ngjarjet sa për fasadë do të tregohen kështu ” policia blindon Elbasanin, kryhen kontrolle… Lleshi takim me drejtorët dhe shefat për të folur për flotën e policisë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *