Vendosni fjalën kyçe....

“2018-ta nisi dhe po përfundon me protestë, vit skandalesh” – Kryemadhi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në konferencën e fundit për shtyp për këtë vit, ka bërë bilancin e vitit 2018 të cilin e konsideroi si një vit skandalesh si dhe si vitin më të varfër në historinë e tranzicionit shqiptar.

Kryemadhi tha se 2018-ta nisi me protestën e opozitës, dhe përfundoi me protestën e diasporës.

“Nuk mund të rrimë pa e kujtuar 2018-ën si një nga vitet më të vështira që kanë kaluar shqiptarët, për familjet e tyre, ekonominë e tyre, xhepat e tyre. Një nga vitet më të varfra në historinë  e tranzicionit shqiptar.

Por jo vetëm. Viti 2018 ishte një vit dështimi dhe për aspiratën e shqiptarëve drejt bashkimit europian. Të gjithë së bashku humbëm një vit drejt një procesi jetik siç është ai i hapjes së negociatave për shkak të arrogancës.

Humbëm një vit për shkak të korrupsionit dhe kapjes së qeverisë nga krimi i organizuar. Sigurisht që viti 2018 do të mbahet mend si viti i protestave, që nisi me protestën e opozitës në janar të vitit 2018-ë, dhe vazhdoi më tutje me protestën e naftëtarëve për statusin e tyre, me protestën e minatorëve, të biznesit të vogël.

U ngritën në protestë banorët e bregdetit për pronat e tyre. Banorët e Shkodrës kundër kapjes dhe pushtimit të qytetit nga bandat dhe krimi i organizuar dhe si qershi mbi tortë erdhi protesta e studentëve, që nuk erdhi si rezultat i Reformës së dështuar në Arsim të Edi Ramës, por erdhi si rezultat i varfërisë së familjeve të studentëve, erdhi si rezultat i mbylljes së vendeve të punës, erdhi si rezultat i shkatërrimit të ekonomisë shqiptare, erdhi si rezultat i varfërisë dhe i kapjes së shtetit nga Edi Rama dhe krimi i organizuar.

Protesta e studentëve ishte një protestë e cila solli besimin, solli shpresën e shqiptarëve. Dhe ky vit përmbyllet me protestën e diasporës, të cilët rikthehen për t’i kthyer dinjitetin popullit të tyre. 2018 do të mbahet mend si viti i varfërisë, si qeveria që u shtrëngon rripin të varfërve dhe u liron të pasurve. 2018-ta do të mbahet viti më skandaloz në tryezat e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.

Më tej kryetarja e LSI-së kujtoi largimin e shqiptarëve drejt vendeve të BE-së ndërsa e konsideroi 2018-ën gjithashtu si vitin e skandaleve, ku në veçanti përmend atë të Unazës së Re.