Në prangat e policisë së Kukësit kanë rënë 6 persona, mes tyre dy oficerë policie pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë ndihmuar për t’u larguar nga vendi i qëndrimit një person me masë sigurie “arrest shtëpie”
Njoftimi i policisë:
Policia e Kukësit në bashkëpunim me Sektorin e SHÇBA-së nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, ka arrestuar në flagrancë 6 shtetas.
– K.M., 38 vjeç, banues në Pobreg, Kukës;
– J.D., 23 vjeç, banues në Rjekë, Kroaci;
– R.K., 46 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë;
– F.T., 26 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë;
– K.S., 53 vjeç, banues në Bushtricë, Kukës, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës;
– Xh.N., 43 vjeç, banues në Kukës, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës.
Arrestimi i shtetasve KM., J.D., R.K. dhe F.T. u bë pasi në datë 1 janar 2019, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë ndihmuar për t’u larguar nga vendi i qëndrimit, shtetasin serb S.V., 53 vjeç, banues në Mirocka, Serbi. Ky i fundit ishte me masë sigurie ”Arrest shtëpie” dhe ruhej nga punonjës policie në një ambient privat, në Kukës.
Arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi gjatë kohës që ishin me detyrë, ruajtjen e shtetasit S.V., kanë lejuar takimin e tij me të afërm pa autorizim përkatës, duke mundësuar largimin e të arrestuarit nga vendi i qëndrimit të detyrueshëm.
Gjithashtu nisi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasit S.V.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim, kryer në bashkëpunim”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shpërdorim i detyrës”.