Familjet fierake dhe vlonjate kanë shpenzimet më të larta për sa i përket shëndetit në raport me totalin e shpenzimeve që ato kryejnë. Nga të dhënat e publikuara në Anketën e Buxhetit të Familjeve 2017, Qarku i Fierit mbante rekordin për peshën më të lartë të shpenzimeve për shëndetin, me 5.1% të totalit të shpenzimeve.
Qarku i Fierit është i klasifikuar si një vend me nivel të lartë të ndotjes për shkak të hidrokarbureve sipas autoriteteve.
Më pas renditej Vlora, ku shpenzimet për shëndetin i peshuan familjeve vlonjate rreth 4.9% të totalit të shpenzimeve, rreth 1 pikë përqindje më e lartë se mesatarja kombëtare e peshës për shpenzimet për shëndet.
Shpenzimet më të larta se mesatarja janë raportuar edhe në Berat, me 4.6% dhe në Gjirokastër me 4.5%. Qarku i Gjirokastrës prej vitesh po vuan fenomenin e plakjes së popullsisë, gjë e cila shoqërohet edhe me shpenzime të shtuara për shëndetin.
Në kryeqytet pesha për shpenzimet për shëndet është 4.1% e totalit, më rritje. Sipas ABF në 2017, pesha e shpenzimeve për shëndet llogaritej 3.9%.
Në qarqet e tjera të vendit, si Durrësi, Shkodra, Lezha, Korça dhe Elbasani, pesha e shpenzimeve për shëndetin varion nga 3- 3.8% e totalit. (shiko grafikun)
Pesha më e ulët e shpenzimeve për shëndet është Kukës dhe Dibër. Në Kukës pesha e shpenzimeve për shëndet ishte sa 2.4% e totalit të shpenzimeve. Ndërsa Dibra ka shënuar përqindjen më të ulët të shpenzimeve për shëndetin.
Për sa i përket Bashkimit Europian, sipas Eurostat shpenzimet e familjeve për shëndet ishin sa 4% e totalit. Belgjika mban rekordin për peshën më të lartë ndër vendet anëtare të BE-së me 6.6% të totalit. Pas saj renditen Çekia me 6.3% dhe Rumania me 6%. Në Gjermani shpenzimet për shëndet ishin 5.2% e totalit. Vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore po vuajnë gjithashtu prej fenomenit të plakjes./Monitor