Kryeministri Edi Rama duket optimist për 2019-ën. Vetëm dy ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për mbylljen e të gjitha pikave të basteve, kreu i qeverisë e ka nisur ditën e sotme me një mesazh.
Ai ka publikuar foto nga një biznes llotoje, krahas të cilës shprehet se Vit të Ri pa kumar e pa kapsolla nuk kishte parë prej kohësh.
“Vit i Ri si ky pa kumar e pa kapsolla s’ishte parë prej shumë kohësh. E pastë këmbën e mbarë deri në fund”, shkruan Rama.
Aktiviteti i basteve sportive konsiderohet i jashtëligjshëm në Shqipëri që prej 1 janarit, por shumë kompani kanë zgjedhur që të regjistrohen si biznese në shtete të huaja dhe në vendin tonë të maskohen si bar kafe, duke ushtruar sërish aktivitetin e tyre, por online.
Po ashtu përsa i përket rregullit të ri të policisë së Shtetit që ndalon përdorimin e kapsollave dhe fishekzjarreve, në natën e ndërrimit të viteve shumë njerëz sfiduan shtetin duke hedhur nga këto.