Më shumë se 300,000 persona janë bashkuar dhe kanë ngritur një çështje kolektive kundër “Volkswagen”, duke paditur gjigantin automobilistik gjerman për dëmet mbi manipulimet e emetimeve.
Numri i paditësve në aksionin e parë kolektiv kundër kompanisë në Gjermani, pritet të jetë shumë më i madh se 300,000, tha të mërkurën zëdhënësi i Zyrës Federale Gjermane të Drejtësisë, Thomas Ottersbach.
Deri më 28 dhjetor 294,000 pronarë të “VW” u bashkuan dhe parashtruan edhe më shumë kërkesa në tri ditët e fundit të vitit 2018. Veprimi kundër “Volkswagen” nisi më 1 nëntor nga Bashkimi Gjerman për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve (VZBV) dhe Klubi Gjerman i Automobilave (ADAC).
Paditësit kërkojnë të dëshmojnë se kompania me qëllim ka dëmtuar konsumatorët e saj përmes manipulimit të emetimeve.
Skandali, i njohur zakonisht si “Dieselgate”, rreth emetimeve të manipuluara shpërtheu në vitin 2015, kur “Volkswagen” u detyrua të pranonte se i kishte pajisur makinat me një softuer të veçantë që mahstronte lidhur me emetimet e gazrave.
Pranimi i mashtrimit sistematik të emetimeve ka bërë që aksionet e kompanisë të bien, si dhe ka rezultuar në shumë miliardë euro gjoba. Përveç kësaj, investitorët e saj kanë paditur për dëmet në masën 11 miliard dollarë. /Hashtag.al