Në raport me datën 26 dhjetor, kur euro arriti në nivelin më të ulët nga gushti 2008, duke zbritur në 122.69 lekë, monedha e përbashkët ka fituar 0.74 lekë, duke u forcuar ndjeshëm në pak ditë.
Forcimi i euros është një tendencë sezonale në dy ditët e fundit të vitit dhe në fillim të janarit, pas rënies së saj në dhjetor si rrjdhojë e efekteve sezonale, që lidhen kryesisht me prurjet valutore të shtuara nga emigrantët.
Megjithatë, ekspertët nuk janë në gjendje të parashikojnë se si do të jetë ecuria e monedhës së përbashkët në 2019-n, për shkak se vitin e kaluar ajo u ndikua nga faktorë që nuk lidhen me të ashtuquajturit faktorë fondamentalë, apo burimet zyrtare të hyrjes dhe daljes së valutës. Deficiti i llogarisë korente (bilanci zyrtar i hyrjeve dhe daljeve të valutës nga vendi) shënoi për 9 mujorin 2018 një përmirësim prej vetëm 63 milionë eurosh, shumë që ka një efekt pothuajse të papërfillshëm, pasi kaq janë vetëm transaksionet e një ditë.
Në vitin 2018, kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a. Dy faktorët jo fondamentalë që ndikuan ishin konvertimet e kapitalit të bankave dhe paratë informale.
Një faktor që ndikoi ishin konvertimet e kapitalit të disa bankave nga euro në lekë, që erdhi si rrjedhojë e procesit të shkrirjes së disa bankave (Veneto u përthith nga Intesa dhe NBG nga ABI Bank). Këtyre iu shtua dhe disbursimi i një kredie të BERZH për Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se këto transaksione përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar, duke ushtruar presion për nënçmimin e euros. Shitblerjet e bankave pritet të vazhdojnë, teksa disa transaksione janë ende në proces dhe mund të kërkojnë sërish konvertim kapitali.
Një tjetër faktor që vlerësohet të ketë shtuar ofertën për valutë që nga gjysma e dytë e vitit 2016, kur filloi dhe rënia e euros është rritja e hyrjes së valutës informale, e cila rezulton se po pastrohet në vend. Në një raport të fundit të MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave. Raporti konstatonte se “Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave”.
Ndërsa lojërat e fatit janë mbyllur tashmë, ndërtimi pritet të vazhdojë me ritme të larta. Sipas të dhënave të INSTAT, për 9 mujorin janë dhënë gjithsej 268 leje ndërtimi në kryeqytet, me një rritje prej 38% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bashkia Tiranë pret të arkëtojë 3.7 miliardë lekë (30 milionë euro) në 2018-n nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja. Edhe në 2019-n, parashikohet të mblidhen nga kjo taksë (që është kryesisht sa 8% e çmimit të shitjes) rreth 4 miliardë lekë, që i korrespondon një volumi ndërtimi prej 50 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë eurosh./ Monitor