Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të paralajmërojnë Iranin për moslëshimin e raketave


 

Shtetet e Bashkuara i bënë një paralajmërim Iranit të enjten kundër lëshimit të planifikuar të tre raketave, veprim që do të shkelte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur aktivitetin me raketa balistike.

Sekretari Shtetit Mike Pompeo tha se Irani i ka bërë të njohura planet për të nisur në muajt e ardhshëm tre raketa, të cilat i quan “Mjete Hapësinore” (SLV), raketa që siç tha ai janë të ndërtuara me teknologji balistike.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë e të shohin iranianët dhe politikat destruktive të regjimit ndërsa vënë në rrezik stabilitetin dhe sigurinë ndërkombëtare” tha zoti Pompeo në një deklaratë.

“E këshillojmë regjimin të rishikojë këto provokime dhe të ndalë të gjitha aktivitetet që lidhen me raketat balistike në mënyrë që të shmanget izolimi më i thellë ekonomik dhe diplomatik”, tha ai.

Sipas zotit Pompeo lëshimi i këtyre raketave do të shkelte rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mbështet marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore. Në muajin maj Presidenti Donald Trump vendosi të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, që nga koha kur është miratuar rezoluta e Kombeve të Bashkuara, Irani ka lëshuar një numër raketash balistike.

Irani thotë se programi i tij hapësinor është paqësor, por ekspertët perëndimorë dyshojnë se kjo mund të jetë një mbulesë për prodhimin e raketave me teknologji luftarake.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *