Vendosni fjalën kyçe....

Trump mesazh të qartë: S’më plas ç’mendon Evropa, jam zgjedhur nga amerikanët


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha nëse ai do ishte popullor në Evropë, ai nuk do ishte duke bërë punën e tij si duhet.

Trump theksoi “shërbimin e jashtëzakonshëm” që Shtetet e Bashkuara u kanë ofruar vendeve evropiane, për të cilat ata duhet të respektojnë SHBA-në.

Në takimin e tij të parë të kabinetit të vitit 2019, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh për mungesën e popullaritetit në Europë.

Presidenti u tha gazetarëve të mërkurën se ai nuk ishte i shqetësuar nga vlerësimet e ulëta për të mes evropianëve, duke thënë se puna e tij ishte t’u kërkonte evropianëve që ta trajtonin SHBA-në në mënyrë më të drejtë.

“Kjo është arsyeja pse jam zgjedhur,” tha Trump, duke përsëritur se vendet evropiane duhet të rrisin pjesën e tyre të shpenzimeve për mbrojtjen, një pikë që ai e ka përsëritur vazhdimisht sa herë që flet për financimin e NATO-s dhe mbrojtjen dhe sigurinë e Evropës.

“Nuk duhet të jem popullor në Evropë. Nëse do të isha popullor në Evropë, nuk do isha duke bërë punën time”, shtoi ai.

Trump tha se Evropa po e trajtonte SHBA-në padrejtësisht, si në tregti ashtu edhe në mbrojtje, por ai fajësoi presidentët e kaluar të SHBA-ve që kanë paguar për sigurinë e kombeve të tjera.

“Gjermania paguan 1 përqind, ata duhet të paguajnë 4 përqind,” tha Trump, duke iu referuar shpenzimeve të mbrojtjes gjermane.

“Të paktën ata duhet të na respektojnë” – shtoi ai.

Një studim i Qendrës Kërkimore “Pew” që është bërë në tetor 2018, zbuloi se popullariteti i Trump-it ishte jashtëzakonisht i ulët në vendet evropiane.

Vetëm 10 për qind e gjermanëve, 9 për qind e francezëve, 7 për qind e spanjollëve dhe 28 për qind e britanikëve e vështronin trajtimin që kreu i Shtëpisë së Bardhë u bën çështjeve botërore.

Presidenti amerikan pranoi se ishte i vetëdijshëm për studimet që dëshmonin popullaritetin e tij të ulët në mesin e evropianëve dhe tha se nuk i bëhej vonë për këtë.

“Unë nuk jam zgjedhur nga evropianët, unë jam zgjedhur nga amerikanët, nga taksapaguesit amerikanë,” tha Trump.

Ai sqaroi gazetarët se marrëdhënia e tij me udhëheqësit evropianë ishte ende e mirë dhe se ai i konsideronte ata miq.

Por ai shprehu se publiku evropian duhet ta respektonte më shumë SHBA-në: “Ne po bëjmë shërbim të jashtëzakonshëm ndaj këtyre vendeve dhe ata duhet të na respektojnë të paktën, ata nuk na respektojnë dhe ky ishte problemi”.

Presidenti gjithashtu u mburr se nëse ai dëshironte, ai mund të ishte personi më popullor në Evropë. “Unë mund të kandidoj për çdo zyrë nëse dua, por nuk dua,” shtoi ai. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DW


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *