Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar vendimet e marra që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale të qershorit 2018. Në një dalje për mediat, zëdhënësja, Hoxha, ka publikuar vendimet e marra në mbledhjen e KQZ-së.
Regjistrimi i komisionerëve të KZAZ-ve duhet bërë deri në datën 18 mars kurse regjistrimi i grupeve të numërimit duhet plotësuar deri në datën 18 qershor.
Data e fundit e regjistrimit të partive në zgjedhje është 21 prilli kurse ajo e koalicioneve është 1 maji.
Vendimet e plota të KQZ-së
1 – Kodi Zgjedhor ngarkon partitë me detyrën e administrimit të procesit dhe administrimi i procesit zgjedhor fillon me ngritjen e KZAZ-ve. Deri më datë 18 mars, këto parti duhet të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve).
Pas tyre ngrihen komisionet e qendrave të votimit (KQV-të), afati për të cilat partive u skadon më datë 30 maj, si dhe grupet e numërimit të votave (GNV-të), detyrim që partitë duhet ta plotësojnë përpara datës 18 qershor.
Në rast se partitë nuk e respektojnë këtë afat, kjo e drejtë zbret tek partitë e tjera parlamentare të të njejtit grupim dhe, në instancë të fundit, tek KQZ-ja, e cila do të emërojë kryesisht komisionerët deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.
Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve.
KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, prandaj u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për përzgjedhjen e kandidaturave për komisionerët zgjedhorë.
2 – Afati ligjor për regjistrimin e partive politike për këto zgjedhje mbaron më datë 21 prill, kurse për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ mbaron më datë 1 maj. Regjistrimi bëhet si gjithmonë pranë KQZ-së.
Nëse partitë politike nuk respektojnë afatin e parë, ato nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Nëse nuk respektojnë afatin e dytë, ato nuk mund të konkurrojnë si koalicione zgjedhore.
Në të shkuarën KQZ -ja është kritikuar nga misionet vëzhguese ndërkombëtare për regjistrimin e subjekteve zgjedhore përtej afateve ligjore, ndaj është veçanërisht e vendosur këtë herë që të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në aplikimin për regjistrim.
KQZ-ja u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për plotësimin dhe depozitimin e dokumentacionit të regjistrimit.
3 – Sipas Kodit, depozitimi i listave shumemërore të kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe kandidatëve për kryetar bashkie duhet të bëhet jo më vonë se data 13 maj.
Nëse partitë politike nuk e respektojnë këtë afat, ato do çregjistrohen dhe nuk do figurojnë në fletën e votimit. Sot ato janë në kohë për të organizuar punën, sipas procedurave të brendshme statutore, për të përzgjedhur kandidatët dhe për të plotësuar dokumentacionin e kandidimit.
4 – Sipas nenit 77 të Kodit Zgjedhor periudha e fushatës zgjedhore fillon në datën 31 maj.
Në të shkuarën, vëzhguesit e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë kanë kritikuar praktikën e disa partive politike që kanë zhvilluar veprimtari fushate përpara fillimit të periudhës së fushatës.
KQZ-ja u bën thirrje publike partive politike dhe emisarëve publikë të tyre që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe vetëkufizim në këtë pragzgjedhje. Kryerja e veprimtarive të fushatës përpara fillimit zyrtar të saj prish barazinë e garës në zgjedhje, e bën procesin të disbalancuar dhe të pandershëm, e bën atë që të nisë keq.
KQZ-ja i bën thirrje medias të tregohet e vëmendshme ndaj kësaj forme të cënimit të barazisë së garës, të distancohet dhe ta denoncojë publikisht atë, në emër të mbrojtjes së lirive themelore të ndjekësve të tyre.
5 – Partitë politike kanë detyrimin të depozitojnë në KQZ para datës 3 qershor të numrit të llogarisë bankare për pranimin e dhurimeve të fondeve jo publike, sikurse kanë detyrimin që të depozitojnë në KQZ para datës 31 mars raportet financiare për vitin kalendarik 2018.
Mosrespektimi i detyrimeve lidhur me transparencën financiare është i lidhur me aplikimin e sanksioneve të rrepta administrative.
Partitë politike duhet të marrin seriozisht e të respektojnë pikë për pikë detyrimet ligjore për financimin e fushatës dhe llogaridhënien, pasi me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës fillon puna për vënien në lëvizje të mekanizmave të brendshëm të mbajtjes së llogarive të fushatës dhe me plotësimin e dokumentacionit ligjor të donacioneve dhe të shpenzimeve.
Transparenca e plotë e financave është shëndërruar në gur prove për politikën, prandaj KQZ-ja tërheq sot vëmendjen për çështjet e financimit të partive politike.