Që prej ditës së djeshme temperaturat në gjithë vendin janë ulur ndjeshëm ndërsanë zona të caktuara kryesisht në veri, verilindje dhe juglindje ka pasur reshje dëbore dhe temperatura disa gradë nën zero.
Ditën e djeshme të gjitha rrugët kryesore kanë qenë të kalueshme me zinxhirë ndërsa problematika ka pasur në zona të thella në veri dhe verilindje të vendit.
Edhe dita e sotme ka pasur reshje dëborë në zonat e lartpërmendura ndërsa temperaturat vijojnë të ulëta e në shumë rrugë ka prani akulli.
Sipas ARRSH-së, janë marrë masat për pastrimin e rrugëve nga dëbora si dhe është përdorur kripa dhe përgjithsësisht rrugët janë të kalueshme, me përjashtim të disa komunave të thella.
“Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë informacionin më të fundit për kalueshmërinë në akst rrugore kryesore të vendit.
Sipas ARRSH, në të gjitha akset kryesore të vendit që ka pasur reshje bore janë marrë të gjitha masat e nevojshme nga kontraktorët dhe kompanitë e mirëmbajtjes. Është bërë trajtimi me kripë dhe pastrimi i rrugës nga bora.
Në Dardhë, Voskopojë, Bigell Gorricë dhe në Qafën e Qarrit, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të prezencës së ngricave në rrugë, pasi temperaturat janë shumë të ulëta.
Në Qafë Thanë – Kapshticë ka pasur reshje të dobëta. Është bërë pastrimi dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.
Në segmenti fundor prej 20 km te aksit Ura e Cerenecit – Stebleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë. Në segmentin Lunik-Stebleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak te pranisë së ngricave në rrugë. Kontraktorët po punojnë në të gjitha akset për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.
Në Qafën e Llogarasë dhe në Qafën e Muzinës, nuk ka pasur reshje. Kontraktori ka bërë shpërndarjen e kripës që në orët e para të mëngjesit dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Gjithashtu rruga nacionale Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, ndërsa rruga nacionale Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme. Në lartësinë mbi 800 metër mbi nivelin e detit kanë vazhduar reshje dëborës edhe gjatë ditës së sotme. Disa zona rurale si ato të Bulqizës dhe Dibrës janë të izoluara nga dëbora.
Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes gjate lëvizjes në akset ku ka prezencë ngricash dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.” – thuhet në njoftimin e ARRSH-së. /Hashtag.al