Zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Benjamin Griveaux, ka deklaruar se “jelekët e verdhë” që vazhdojnë protestat duan të përmbysin qeverinë.
Duke i akuzuar “jelekët e verdhë” se ndodhen brenda një përpjekjeje politike, zëdhënësi Griveaux tha se ata duan përmbysjen e qeverisë.
Qeveria u ka dhënë përgjigje në mënyrë të shpejtë kërkesave të “jelekëve të verdhë”, tha Griveaux, duke kërkuar që edhe “jelekët e verdhë” të marrin pjesë në punimet për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve që kanë shkaktuar protesta në rajone të ndryshme të vendit.
Bëhet e ditur se në protestat e zhvilluara nga “jelekët e verdhë” në 200 pika të ndryshme të vendit ditën e djeshme kanë marrë pjesë rreth 2.500 persona.
Protestat
Protestat e “jelekëve të verdhë”, të cilat filluan si një reagim ndaj rritjes së taksave të karburantit dhe u zhvilluan në një kryengritje kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, janë shndërruar në protestat më të dhunshme të viteve të fundit në vend.
Që nga 17 nëntori, mijëra protestues të quajtur “jelekët e verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, përfshirë kryeqytetin e Parisit, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburantit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në protesta gjatë periudhës 17 nëntor-17 dhjetor kanë humbur jetën të paktën 10 persona, mbi 1.000 të tjerë janë plagosur, mbi 4.500 janë ndaluar dhe 216 janë arrestuar.