Vendosni fjalën kyçe....

29 mijë aborte në 5 vjet në Shqipëri, si po e ndikojnë ekonominë


Ndonëse ka gjithnjë debat rreth aspektit moral apo ligjor të një aborti, një tjetër ndikim që duhet konsideruar është ai ekonomik. Aborti u bë i ligjshëm në Shqipëri në dhjetor të 1995 dhe sipas të dhënave të ISHP, vetëm në 5 vitet e fundit, në të gjithë vendin, ka pasur më shumë se 29 mijë të tilla.
Ekspertët pohojnë se zvogëlimi i numrit të fëmijëve përmes abortit ndikon në ekonomi në tkurrjen e konsumit të mallrave për to, si dhe në tkurrjen e popullatës dhe si pasojë, të fuqisë punëtore dhe numrit të taksapaguesve për një shtet. Por, ka edhe një anë tjetër medalje. Aborti, shpeshherë, shihet si zgjidhje ekonomike për familjet në vështirësi ekonomike, sidomos në rastin e grave të papuna dhe të pasiguruara.

Nga Deada Hyka

Një nga efektet më të mëdha të legalizimit të abortit është rënia e nivelit të fertilitetit, si dhe e popullatës. Ky trend botëror po vihet re edhe në vendin tonë. Aborti u bë i ligjshëm në Shqipëri në dhjetor të vitit 1995, ndërsa sipas të dhënave të raportit të survejimit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), vetëm në 5 vitet e fundit ka pasur mbi 29 mijë aborte në të gjithë vendin.

Sipas ekspertëve, legalizimi i abortit ndryshon modelin familjar: më pak fëmijë rriten në familjet me një prind, më pak fëmijë rriten në qendra sociale dhe më pak në varfëri. Ndërsa abortet mendohet se rrisin nivelin e mirëqenies për fëmijët e lindur, nga ana tjetër, ata gjithashtu heqin barrën nga tatimpaguesi.

Pohimi se, duke eliminuar një popullsi përmes abortit, sjell më pak shpenzime për ushqim, veshje dhe rritje për to, injoron faktin se në këtë mënyrë shkatërron një popullsi që do të ishte në të ardhmen forcë pune. Në një humbje prej 29 mijë personash në 5 vitet e fundit, që do të kishin qenë anëtarë të shoqërisë, pas 13 vitesh ata do të ishin në moshën për të marrë pjesë aktive në forcën e punës.

Ka gjithmonë një arsye pse një vajzë apo grua kërkon të abortojë një fëmijë. Ashtu sikurse është edhe shpërndarja e aborteve, që kryesisht vjen nga rrethet. Sipas mjekes obstetre Denisa Hajdëri, ka shumë që abortojnë edhe fëmijën e parë, dhe kjo ndodh te vajzat e reja që nuk kanë një jetesë të qëndrueshme, nuk kanë një lidhje serioze. Ashtu sikurse ka gra që abortojnë të dytin, të tretin. Janë shumë të tilla nga zonat rurale, por edhe nga Tirana, pohon ajo.

Por, nuk përjashtohen as faktorë të tjerë socialë. “Pasiguria ekonomike, mungesa e informacionit, mospërdorimi i kontraceptivëve nga frika e efekteve anësore, mungesa e planifikimit familjar në shumë familje, janë të gjitha arsye për t’u konsideruar”, shton mjekja.

Lidhja e abortit me ekonominë

Specialistët pohojnë se aborti ka pasur disa ndikime në ekonomi. Sipas prof. Gëzim Tushi, sociolog, shoqëria shqiptare ka pësuar disa ndryshime ndër vite dhe aborti padyshim ka qenë një levë e ndryshimit demografik dhe njëkohësisht, e tjetërsimit të familjeve.
Sipas tij:

  1. Lindjet stimulojnë ekonominë. Prindërit blejnë sendet e nevojshme për to, duke qarkulluar para. Në këtë logjikë, më pak fëmijë nënkupton që bëhen dhe shiten pak produkte.
  2. Një fëmijë i lindur sot është një punonjës shqiptar në të ardhmen, që do të thotë kontribut në ekonominë e përgjithshme. Foshnjat rriten jo vetëm për të punuar, por edhe për të paguar taksa. Pak njerëz nënkupton më pak kontribute tatimore. Një shembull, Shtypi i Lirë i Kanadasë e përshkruan abortin e legalizuar si një “holokaust financiar” në SHBA. Legalizimi i abortit, ndikimi financiar i atyre amerikanëve që nuk punojnë ose kontribuojnë në shoqëri mund të kenë kushtuar më shumë se 27 trilionë dollarë në të ardhurat e humbura tatimore.
  3. Një studim i aborteve të ndaluara në Rumani që filluan në vitet 1960 kishte rezultate kontroverse. Fëmijët e lindur menjëherë pas ndalimit të planifikimit familjar kishin shkollim më të mirë dhe më shumë sukses në vendin e punës, sipas studimit të Universitetit Columbia. Por ndalimi i aborteve njëkohësisht ndikoi ndjeshëm në rritjen e familjeve më të varfra ku fëmijët kishin rezultate më të këqija arsimore dhe të tregut të punës.
  4. Përkrahësit e jetës zakonisht theksojnë se fëmijët që nuk lindën, mund të kishin pasur role të rëndësishme në mjekësi, shkencë, biznes, art etj. Ndonëse, sigurisht ka edhe mendime të anasjella.
  5. Niveli i uljes së lindjeve, rënia e fertilitetit u ngarkon të rinjve të së ardhmes një barrë më të madhe për të mbështetur moshën e vjetër. Një politikë lindjeje e Kinës e zbatuar në vitin 1979, me 1 fëmijë për familje, tani e ka vënë qeverinë e saj në vështirësi, me më pak punëtorë të rinj për të mbështetur një popullsi të plakur.

Abortet sipas qarqeve

Në 5 vitet e fundit, vihet re një ulje e ndjeshme e lindjeve, shoqëruar me ulje të numrit të aborteve, sipas INSTAT. Megjithatë, vitin e shkuar shifrat tregojnë se raporti i abortit me lindjet është 1 me 5.8 të tilla. Raporti i abortit është tregues që ka pësuar rënie me 15% krahasuar me 2013, por duhet të theksojmë se bëhet fjalë për aborte të regjistruara (ka edhe që nuk raportohen).

Rajonet me proporcionin më të lartë të abortit për vitin 2017 janë Vlora (274), Berati (231) dhe më pas Tirana (226). Rajonet me raportin më të ulët të abortit janë përkatësisht Kukësi dhe Elbasani, me 54 dhe 55 aborte, për 1000 lindje të gjalla. Numri i aborteve, sipas INSTAT, jo domosdoshmërisht shkon paralel me numrin e lindjeve të gjalla. Ka qarqe si Gjirokastra dhe Vlora, ku numri i lindjeve është relativisht i ulët, ndërsa raporti i abortit i lartë.

Bazuar në të dhënat e Sistemit të Survejancës së Abortit, ISHP monitoron trendin e abortit në vite, numrin total të aborteve (në nivel kombëtar dhe sipas rajoneve), nivelin e abortit (numri i aborteve për 1000 femra të moshës 15-49 vjeç apo grupeve të tjera moshë-specifike) dhe proporcionin e abortit (numri i aborteve për 1000 lindje të gjalla).

Gjatë vitit 2017 janë regjistruar në total 5279 aborte, 117 raste më pak se në vitin 2016 (5396 aborte). Numri i skedave të ardhura në ISHP nga të gjithë qendrat raportuese është 4417, duke përfaqësuar 83.7% raportime totale, ndërkohë që gjatë vitit 2016, përqindja e raportimit me skedë ka qenë 78.2%. Ndër qytetet me numrin më të lartë të aborteve pas Tiranës (2117) përmendim Fierin me 425 aborte, Durrësin me 402 dhe Beratin me 305 aborte. Vlen të përmendet që kemi një rritje të raportimit me skedë nga dy maternitetet e Tiranës (76.3% në vitin 2017), krahasuar me vitin 2016, ku përqindja e raportimit me skedë ka qenë 58.0%.

Ekspertja, ndikimi në shoqëri

Prof. dr. Arjana Muçaj pohon për “Monitor” se aborti në Shqipëri është parë gjithmonë si një plagë e shoqërisë, sepse në vitet e komunizmit, ai ndalohej me ligj dhe mund të kryhej vetëm në rastet kur rrezikohej jeta e nënës.

“Sot pas viteve ’90 ndodh e kundërta, sepse ndryshimet në shoqërinë tonë të ekspozuara në ekonomi e gjetën gruan shqiptare të papunë dhe ende vazhdon që gratë të jenë numri më i madh i të papunëve. Sot aborti po përdoret edhe për të shpëtuar jetën e gruas, për të ruajtur shëndetin mendor dhe fizik, shpeshherë për shkak të një dhune të ushtruar, ose në rastet e një komplikacioni me fetusin. Ashtu sikurse po përdoret edhe për shkak të preferencave gjinore. Legjislacioni ynë e ndalon ndërprerjen e shtatzënisë me bazë gjinore.

Në një shoqëri ku problemet ekonomike dhe sociale janë shumë të pranishme, kuptohet që ndonjëherë kjo nuk është një zgjedhje e lehtë për nënat që abortojnë. Shpesh, kushtet në të cilat ato jetojnë dhe pamundësia për një zhvillim më të mirë të mirërritjes së fëmijëve, i bën të pashpresa për të ardhmen”, – thotë prof. dr. Muçaj.

Prof. dr. Muçaj shton se, planifikimi familjar në Shqipëri është i lidhur me kushtet dhe mundësitë që duan t’u krijojnë prindërit e rinj fëmijëve në ditët e sotme. “Nuk bëhet fjalë për familjet me shumë anëtarë. Por, për familjet e vogla që zgjedhin të mbeten me një fëmijë, me qëllim investimin më të madh tek ai fëmijë”– thotë ajo.
Nga ana tjetër, prof. Muçaj thotë se ulja e normës së fertilitetit është një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në përzgjedhjen e gjinisë para lindjes.

“Në lindjen e fëmijës së parë, gjinia nuk përbën problem, por në lindjen e dytë, bëhet shumë e rëndësishme, sigurisht në varësi të zonave të vendit. Pra, në kompleks mund të themi se janë një sërë faktorësh që ndikojnë në një abort. Por a ka ndikime në shoqëri? Edhe ndikimet janë të shumëfishta. Duke nisur nga aspekti emocional i nënës, që shpeshherë çon deri në depresion nga ndjenja e fajit dhe deri te ndryshimi i madhësisë së familjes në Shqipëri, me rënien e fertilitetit”, – thotë në fund prof. dr. Muçaj.

Abortet kryhen më shumë nga femrat e papuna

Femrat që banojnë në zonat urbane kryejnë numrin më të lartë të aborteve (64.7%). Sipas specialistes së Shëndetit Publik, e cila ka përpiluar Anketën e Survejancës për Abortin në 2017, znj. Alba Merdani, abortet kanë pasur një trend të lehtë rënës në vitet e fundit.

“Për vitin 2017, abortet spontane përbëjnë rreth 77.4% të numrit total të aborteve, kundrejt 22.6% që janë abortet me kërkesë të gruas. Në numër absolut të dy llojet e abortit (spontan dhe ai me kërkesë) janë në ulje, por uljen më të madhe e kanë pësuar abortet me kërkesë të gruas. Femrat e grupmoshës 20-34 vjeç kryejnë numrin më të lartë të aborteve krahasuar me grupmoshat e tjera (67.9% kundrejt totalit), kurse abortet e kryera nga femrat adoleshente zënë një përqindje të ulët, prej 4.8% të numrit total të aborteve”,- thotë znj. Merdani.

Sa i përket një lloj krahasimi të kryerjes së aborteve sipas grupmoshës së gruas dhe statusit martesor të saj, znj. Merdani thotë se sipas shifrave, në vendin tonë pjesa më e madhe e aborteve (92.0%) kryhen nga femrat e martuara, kundrejt 6.3% që kryhen nga femrat beqare.
Sipas saj, pothuajse gjysma e aborteve vihen re te femrat me një nivel të ulët arsimor (40.8% me arsim fillor ose 8-vjeçar), ndërkohë që femrat me arsim të lartë kryejnë rreth 18.5% të aborteve.

“Trendi i aborteve të kryera në vite nxjerr në pah se gjithnjë e më tepër abortet kryhen kryesisht nga femrat të cilat nuk janë të punësuara dhe të siguruara. Për vitin 2017, abortet e kryera nga femrat e papuna zënë rreth 71.6% të aborteve totale. Gjithashtu përqindja e aborteve të kryera nga femrat e pasiguruara për vitin 2017 është 73.2%”, – thekson znj. Merdani.

Krahasimi, niveli i abortit në vend në trendin e EJL

Niveli i abortit në Shqipëri bëhet më domethënës kur e krahasojmë me vende të tjera të Europës. Nga statistikat e fundit të Kombeve të Bashkuara mbi abortin mund të themi se niveli i abortit në Shqipëri (7.6 për vitin 2017) është nën normën e vendeve të Europës Lindore: p.sh. Bullgari (viti 2015 – 24.1), Rumani (viti 2015 – 19.2) dhe disa vende të Europës Veriore: p.sh. Suedi (viti 2015 – 25.3) dhe Britani e Madhe (viti 2015–20.2). Ndërkohë nivelet e abortit në Shqipëri janë të ngjashme me ato në vendet e Europës Jugore: p.sh. Itali (viti 2015 – 10.6), Serbi (viti 2015 – 10.7) dhe Mali i Zi (viti 2015–11.1)

Raporti / Mohimi i abortit çon në vështirësi ekonomike për gratë me të ardhura të ulëta

Gratë që duan të kryejnë abort, por që u mohohet, kanë më shumë gjasa të kalojnë vite në varfëri sesa gratë që kryejnë aborte, tregon një studim i ri i publikuar disa ditë më parë nga Reuters. Një shtatzëni e padëshiruar katërfishon shanset që një nënë e re dhe fëmija i saj do të jetojnë nën kufirin federal të varfërisë, sipas raportit.

“Është mbresëlënëse të shohësh se vendimmarrja e grave është saktësisht e drejtë”, tha autorja Diana Greene Foster, profesore në Avancimin e Standardeve të Reja në Shëndetin Riprodhues, një grup kërkimor në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.
Arsyeja e vetme më e shpeshtë që gratë përmendin për të kryer abort është sepse ata nuk mund të përballojnë ekonomikisht rritjen e një fëmije, tha Foster.

Për gratë që u mohohet aborti, programet e asistencës publike nuk arritën të kompensonin koston e një fëmije tjetër dhe të tërhiqnin ekonomitë familjare nga varfëria, tregoi studimi. Çdo gjashtë muaj, për pesë vite me radhë, Foster dhe ekipi i saj intervistuan 813 gra, në 30 klinika, në 21 shtete në SHBA. Mesatarisht, gratë që nuk ishin në gjendje të kryenin abort ishin thuajse pesë muaj e gjysmë shtatzënë. Grave që iu refuzua e drejta për të kryer aborte kishin pothuajse katër herë më shumë gjasa të jetonin nën kufirin shtetëror të varfërisë katër vjet më vonë se sa gratë që kryen aborte. Gratë raportuan se pas 4 viteve, nuk kishin para të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet themelore të jetesës.

Nga gratë që kërkonin të kryenin abort, tre të katërtat raportuan se nuk kishin mjaft para për të mbuluar kostot e strehimit, transportit dhe ushqimit. Gati dy të tretat – 63 për qind – tashmë kishin të paktën një fëmijë.
Në një raport të veçantë të botuar në 2013, një grua 42-vjeçare u tha hulumtuesve se vendimi i saj për të kryer abort ishte për shkak se “të gjithë ishin pa punë, duke jetuar me përfitimet e vetëm një pensioni, duke u kujdesur gjithashtu për djalin tim 14-vjeçar”. Ajo tha: “Nuk kam pasur para për të blerë një lugë fëmijësh.”

“Gratë parashikojnë pasoja ekonomike, dhe kur u mohohet një abort, ato përjetojnë pasoja negative ekonomike – varfëri”, tha Foster.
“Kur ato mund të kryejnë një abort, mund të integrohen në tregun e punës dhe të ardhurat e tyre rriten”, tha ajo. “Por kur u mohohet një abort, ato bëhen ekonomikisht të pashpresa dhe u duhen vite për të arritur aty ku do të kishin qenë nëse do t’u kishin lejuar abortin”.
Rezultatet e studimit nuk e befasojnë Rachel K. Jones, sociologe dhe studiuese në Institutin Guttmacher në Nju Jork.

Shumica e grave që kërkojnë të kryejnë aborte janë të varfra ose me të ardhura të ulëta dhe tashmë kanë fëmijë. “Shtimi i një anëtari tjetër sjell nevoja më të mëdha për një familje, gjë që rezulton në nivele më të larta të varfërisë dhe mbështetje në programet e mirëqenies sociale”, shkruante ajo.

“E drejta e zgjedhjes së një aborti, duke kërkuar ‘Medic-aid’ dhe të gjitha planet e qeverisë dhe të sigurimeve private për të mbuluar abortin – mund të ndihmojë gratë të kujdesen më shumë për fëmijët që kanë dhe të kenë fëmijë kur të jenë gati ta bëjnë këtë”.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *