Vendosni fjalën kyçe....

Cilët janë emrat e propozuar nga Rama që Meta nuk i dha “OK”


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar sot shkarkimin e ministrave të gjithë ministrave që kryeministri Edi Rama vendosi t’i largojë nga posti, por me një përjashtim, Ditmir Bushatin.

Meta mësohet se ka kërkuar kohë në vendndim e tij për të shkarkuar Bushatin, ndërsa ende nuk ka publikuar arsyet e këtij vendimi.

Po ashtu presidenti ka dekretuar emërimin në detyrë të tre ministrave të propozuar, Blendi Çuçit, si Ministër i Bujqësisë, Eduard Shalsit si ministër për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Elisa Spiropali si ministre të Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin. Por përveç Gent Cakës që ishte propozuar për postin e Bushatit, Meta ka lënë pa dekretuar ministrat e tjerë me profil të ulët politik të propozuar nga Rama.

Ministrat që Meta nuk dekretoi

Gent Cakaj, është shqiptari i dytë i Kosovës i propozuar në qeverinë Rama. Në korrik të këtij viti, Cakaj u emërua Kryenegociator i çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Cakaj fillimisht ka qenë këshilltar i kryeministrit për politikën e Jashtme dhe posaçërisht, për çështjet e Bashkimit Europian. Më pas në kabinetin “Rama 2” u emërua në postin e zv.ministrit të Punëve të Jashtme.

Besa Shahini ka mbajtur deri tani postin e zv.ministres së Arsimit. Në jetëshkrimin e saj thuhet se ajo është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Deri në verën e vitit 2015, ka punuar si analiste në oganizatën me bazë në Berlin, Inciativa Europiane për Stabilitet (ESI). Besa Shahini ka një master nga “Hertie School of Governance” në Berlin, Gjermani.

Anila Denaj, është një tjetër emër jo shumë i njohur që propozohet për të zëvendësuar Arben Ahmetajn në krye të Financave dhe Ekonomisë. Para tre muajsh, ajo u emërua drejtoreshë e Përgjithshme e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit  Shëndetësor. Ajo ka qenë anëtare e Këshillit Administrativ të Fondit.

Më herët ajo ka qenë anëtare e bordit të AKEP. Më herët, Denaj, ka një eksperiencë në sektorin bankar në vend, ku ka mbajtur pozicionin e zëvëndësdrejtoreshës në një bankë tregtare për periudhën 2007-2013. Në vitin 2013 deri në vitin 2015 ka mbajtur pozicion drejtues në Ministrinë e Financave.

Belinda Balluku është propozuar për postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar Damian Gjiknurin.

Balluku ka qenë më herët shefe e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës, kur bashkia drejtohej nga Edi Rama. Ndërsa në 2015-n mori postin e drejtoreshës së ‘Albcontrol sha’, ose siç njihej më herët, Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA). Në krye të ‘Albcontrol sh’, Balluku u akuzua për krijimin e borxhit prej 94 milionë eurosh. Balluku, ka mbajtur dhe postin e drejtoreshës së Aviacionit Civil.

Elva Margariti, është emri i fundit i listës, e propozuar për të zëvendësuar Mirela Kumbaron. Margariti është me profesion arkitekte si dhe ka qenë pedagoge në universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Ajo ka studiuar në Firence të Italisë, ndërsa me kthimin në Shqipëri ka mbajtur edhe detyrën e Këshilltares pranë Kryeministrit Edi Rama. Më herët ajo ka qenë koordinatorja Kombëtare e Programit “100 Fshatra”./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *