Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e LRI-së në Fier, tha se Shqipëria nuk mund të jetë peng i një kryeministri të çmendur.
“Vetëm në Shqipëri ndodhin çudira nga më të ndryshmet, sepse kemi një kryeministër, i cili është jo vetëm peng i krimit të organizuar dhe i trafikut, por kemi dhe një kryeministër i cili është dhe peng i sëmundjes së tij mendore. Por ne nuk mund të vazhdojmë më të ngelemi në dorë të një të çmenduri që çdo ditë e më shumë djeg dhe shkatërron vendin, por mbi të gjitha djeg dhe shkatërron shpresat e të rinjve shqiptarë. Shikojmë se si flitet për rritjen ekonomike dhe ku rritja ekonomike për hir të së vërtetës nuk ka ardhur si rezultat i zhvillimit të ekonomisë. Ju e dini shumë mirë që rritja ekonomike është e lidhur shumë me hapjen e vendeve të punës. Pra nëse do të kishim një kryeministër të vërtet, një kryeministër që nuk do të gënjente për këtë lloj rritje ekonomike që ka 4.5% të jeni të bindur që as 40.000 vende pune nuk janë hapur. Që të hapeshin 265.000 vende pune që thotë kryeministri, i binte që rritja ekonomike në Shqipëri të ishte mbi 10%, pra të ishte të paktën me dyshifra. Pra mashtrimet e rradhës, të cilat kërkojnë të mbulojnë zullumin që ka futur Shqipërinë, nuk po na krijojnë gjë tjetër, nuk po na lë rrugë tjetër, na ka krijuar mundësinë e vetme që është protesta.”, tha Kryemadhi.
Ndër të tjera kryetarja e LSI-së u dha një mesazh të rinjve duke u thënë se janë ata që kanë sjellë ndryshimet në Shqipëri.
“Nuk mund të lëmë të gjithë institucionet e shtetit shqiptar, gjithë të ardhmen e Shqipërisë në dorën e një të çmenduri, do ta rrëzojmë me qetësi, pa qetësi, me dashuri, pa dashuri, me angazhim, me protesta, pa protesta, por në dorë të këtij njeriu të çmendur nuk do ta lëmë vendin.
Por, në krye të kësaj lëvizjeje duhet ta kuptoni që është rinia, rinia ka bërë ndryshimet në Shqipëri, rinia ka sjellë ndryshimet në Shqipëri, rinia e ka sjellë këtë vend përpara, rinia i ka sjellë shanset dhe mundësitë këtij populli.
Prandaj, edhe ne sot në Fier dhe në rrethe të tjera nuk do të ndalemi, por edhe ju që nga ky moment, nxirrni telefonat, hapni listën e njerëzve dhe miqve”, tha Kryemadhi.