Vendosni fjalën kyçe....

Brazili dërgon ushtrinë për të luftuar dhunën në Fortaleza


Autoritetet braziliane kanë njoftuar se rreth 300 trupa ushtarake janë dërguar në qytetin veri-lindor të Fortalezas për ta luftuar rritjen e papritur të dhunës dhe krimit. Ushtarët do të patrollojnë në qytet dhe në tërë rajonin e Cearas në përpjekje për t’i ndalur sulmet ndaj dyqaneve, bankave dhe autobusëve.

Ministria e Drejtësisë e urdhëroi angazhimin e ushtarëve pas dhjetëra sulmeve që ndodhën këtë javë. Këto sulme po kryhen në shenjë proteste ndaj masave të reja dhe më të rrepta në burgjet lokale, të cilat kontrollohen në masë të madhe nga bandat kriminale.

Autoritetet e burgjeve në këtë rajon i kanë bllokuar valët e telefonave celularë brenda burgjeve dhe i dhanë fund politikës së ndarjes së të burgosurve në bazë të lidhjeve mes bandave. Angazhimi i trupave ushtarake erdhi vetëm disa ditë pas inaugurimit të presidentit të ri të vendit, Jair Bolsonaro, i cili gjatë fushatës kishte premtuar se do ta luftojë krimin e shfrenuar.

Presidenti e lavdëroi vendimin e ministrit të drejtësisë për të dërguar trupa ushtarake në Fortaleza. Rreth 50 persona janë arrestuar në lidhje me sulmet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, Brazili ka më shumë se 700 mijë persona të burgosur, duke zënë kështu vendin e tretë në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *