Popullsia e Kinës pritet të shkojë në 1.44 miliardë në vitin 2029, përpara se të fillojë një rënie “të pandalshme” në vitin 2030, sipas një raporti të ri tronditës. Të dhënat pohojnë se India mund të jetë tashmë vendi më i populluar në botë.
Sipas “Librit të Gjelbër të Popullsisë dhe Punës” të publikuar nga Akademia e Shkencave Sociale të Kinës (CASS) të premten, rritja e popullsisë së punës në Kinë ka ngecur.
Ndërkohë, “shkalla e varësisë” e vendit (popullsia e njerëzve që nuk punojnë, duke përfshirë fëmijët dhe të moshuarit) parashikohet të rritet për dekada të tëra në një trend që do të ketë një ndikim të gjerë socio-ekonomik në vendin më të populluar në botë.
“Nga pikëpamja teorike, rënia e popullsisë në plan afatgjatë, sidomos kur shoqërohet me një popullsi të plakur vazhdimisht, do të shkaktonte pasoja shumë të pafavorshme sociale dhe ekonomike”, thuhet në raportin e CASS.
Nga mesi i shekullit, popullsia e Kinës pritet të bjerë në 1.36 miliardë, me një rënie të vijueshme në fuqinë punëtore prej rreth 200 milionë. Nëse normat e fertilitetit mbeten rreth nivelit aktual, popullsia mund të bjerë në 1.17 miliardë deri në vitin 2065, njofton raporti.