Vendosni fjalën kyçe....

“S’ka më pritje”, studentët nisin marshimin, policët rrethojnë Kryeministrinë (video)


Pasi u kanë vënë drynin portave të fakulteteve dhe pasi kanë gozhduar dyert e rektoratit, studentët kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë.

“S’ka më heshtje, s’ka më pritje, por ka vetëm brohoritje. Do vazhdojmë të kundërshtojmë”, thërrasin studentët në kor.

Studentët kanë premtuar disa surpriza në protestën e sotme dhe nuk kanë pranuar të zbulpojnë asnjë detaj për mediat se për çfarë bëhet fjalë.

Ndërkohë që ka nisur protesta e studentëve, policë të shumtë nga ana tjetër kanë rrethuar kryeministrinë, por jo vetëm.

Në fotot e mëposhtme shihet qartë prania e madhe e forcave të rendit edhe në afërsi të piramidës. Protestës së sotme të studentëve do t’i bashkohen edhe studentë nga universitetet në Kosovë dhe në Maqedoni.

Një studente tha për mediat se ata kanë një marrëveshje  me studentët e dy vendeve, që të mbështesin protestat e njëri-tjetrit, si shenjë solidarizimi mes bashkëkombësve.

“Po do ketë. Marrëveshja është që ata të na mbështesin ne dhe ne do shkojmë për t’i mbështetur ata, fqinjët tanë, shtetasit tanë.”, tha një studente, e pyetur nëse do ketë studentë nga Kosova dhe Maqedonia.

E njëjta studente tha për mediat se protesta më e madhe për ta është bojkoti që po u bëhet fakulteteve, edhe nëse numri i studentëve nuk do jetë po aq i madh nëpër rrugë, kjo edhe për shkak të frikës prej kërcënimeve që kanë marrë.

Sakaq pritet që edhe studentë të rretheve t’i bashkohen protestës. Studentët e Elbasanit janë nisur, e ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një video të tyre të cilët shihen në autobus duke kënduar kundër kryeministrit Edi Rama./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *