Austria do të krijojë një përjashtim nga ndalimi i shtetësisë së dyfishtë për shtetasit e saj që jetojnë në Britani përballë perspektivës së Brexit, tha të martën ministri i jashtëm, duke lënë të hapura mundësinë për të vepruar njëlloj edhe me britanikët në Austri.
Austria është një nga të paktat vende në Bashkimin Europian që zakonisht ndalon shtetësinë e dyfishtë. Austriakët që fitojnë shtetësi në një vend tjetër zakonisht humbasin kombësinë austriake, dhe të huajt priten të heqin dorë nga pasaporta të tjera nëse ata bëhen austriakë, shkruan Euronews.
“Ka përjashtime nga ky ndalim dhe qeveria konservatore dhe e ekstremit të djathtë synon të krijojë një mundësi të re për rreth 25,000 austriakë që e kanë bërë Britaninë shtëpinë e tyre”, tha Ministri i Jashtëm Karin Kneissl.
Kneissl tha në një konferencë për shtyp se do ta paraqiste këtë çështje në një mbledhje të kabinetit gjatë kësaj jave.
I pyetur nëse një përjashtim i tillë do të krijohej edhe për britanikët në Austri, Kneissl tha: “Kjo është një pyetje interesante”. Rreth 11,000 qytetarë britanikë jetojnë në Austri.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane tha të hënën se shtetasit britanikë do të mbajnë të drejtat e tyre të qëndrimit në Gjermani për një periudhë tre mujore, me shtrirje të mëtejshme të mundshme nëse vendi i tyre largohet nga BE pa një marrëveshje.