Prej disa ditësh në rrjetet sociale qarkullojnë meme dhe tallje për mbiemrin e deputetes së Partisë Demokratike, Grida Duma.
E ftuar në emisionin e Rudina Xhungës, Duma ka treguar se si familja e saj ka ndërruar mbiemrin që më parë e kishte Suma. Por ky mbiemër është ndërruar rreth 3-4 shekuj më parë, edhe pse talljet sot i referohen deputetes.
“Shikoj komentet, dje në një nga portalet bëhet një koment se si në 48-ën një familjar i familjes time e ka ndërruar mbiemrin nga Suma në Duma. Dua të marr disa minuta të flas sesi të keqpërdorin. Sigurisht që u mërzita shumë. Familja ime po vjen së largmi nga Shkodra. Ishte ndër familjet më të mëdha në kohën e Bushatllinjve, shkruan për të Edith Durhami, shkruan për të Atë Zef Pllumi.
Arsyeja se pse e kanë ndërruar mbiemrin kur zbritën në Durrës, për të shkuar te antropologjia shqiptare, kur zbresin në Durrës, në atë kohë Durrësi ka qenë gadishull. Bëhet fjalë për 3-4 shekuj përpara, kur kishte edhe gjakmarrje dhe arsyeja se përse ndërrohet mbiemri është jo vetëm nga nderi i familjes, por për të ruajtur familjen.
Sa here merren me mua si person, jam përpjekur të mos bëhem si viktimë ‘Mos më shani se jam grua’. Këtë gjë nuk e dua. Nuk kam kërkuar mëshirë,” tha Duma.
Portalet prej disa ditësh, e morën shumë seriozisht ndërrimin e mbiemrit të familjes së deputetes shekuj më parë, saqë u publikuan dhe dokumente për ta vërtetuar këtë.