Mësuesja e një shkolle fillore në Kentucky të SHBA-ve është shkarkuar nga detyra, pas një videoje ku shihej duke tërhequr zvarrë nëpër korridoret e shkollës një djalë 9-vjeçar i cili vuante nga autizmi.
Nëna e fëmijës, Angel Nelson, publikoi në “Facebook” videon ku mësuesja shihet teksa e tërheq djalin me duar, përpara studentëve të tjerë të vendosur rresht pranë një muri. Incidenti ndodhi më 24 tetor, sipas Nelson, shkruan “NBC”.
“A do të ecësh ?”, i drejtohet djalit mësuesja e identifikuar si Trina Abrams, por ai përgjigjet “Jo”. Kështu që ajo e tërheq zvarrë ndërsa filmohet nga kamerat e sigurisë.
Pas publikimit të pamjeve ka reaguar drejtori i shkollës, i cili e ka shkarkuar mësuesen nga detyra.
Nelson ka pranuar se djali i saj ka probleme në të folur dhe ishte diagnostifikuar vite më parë me autizëm, PTSD dhe depresion.
Abrams pritet të përgjigjet para gjykatës këtë të mërkurë, tha një zëdhënës në gjykatën e qarkut për NBC.